Raporti: 2012, rritje e krimit

05/03/2013 00:00

Viti 2012 shihet  nga organi i akuzës si një vit i vështirë me rritje të kriminalitetit veçanërisht kundër jetës së personit dhe kundër pronës.

Në një raport voluminoz ku analizohet cdo trend me shifra procedimesh penale për cdo vepër, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pohon se ka tendencë në rritje vrasja në rrethana rënduese dhe ato kundër jetës, e për këtë, thuhet në raport, çmohet e domosdoshme rritja e bashkëpunimit mes të gjitha institucioenve ligjzbatuese për rritjen e zbulueshmërisë së autorëve.

Gjithashtu vijohet në raport është e nevojshme aplikimi i një politike penale më të ashpër ndaj këtyre individëve nga sistemi i drejtësisë.

Në rritje raportohen për 2012 edhe veprat për lirinë e personit si shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie me një mase prej 63 përqind në krahasim me 2011, ndërkohe që në mbi 44 përqind në rritje konsiderohet edhe tendenca e braktisjes së fëmijëve të mitur përgjatë 2012, ndërsa për dhunën në familje shikohet një shtim i personave të regjistruar si të pandehur me një total prej 255 personash nën akuzë në shkallë vendi.

Prokurori i Përgjithshëm e shikon me shqetësim edhe dhunën në familje dhe sipas raportit, këtij fenomeni duhet t’i kushtohet vëmendje penalizuese.

Sipas raportit që Top Channel zotëron për vitin 2012 shënuan shqetësim një grup veprash kundër pasurisë tek të cilat, sipas raportit, ndikojnë faktorët socialë dhe ekonomikë dhe ulja vit pas viti e zbulueshmërisë së tyre, veçanërisht sipas raportit konstatohet rritje e të miturve në këtë grup veprash.

Por sipas prokurorise mungesa e një sistemi efikas për ndëshkueshmërinë penale ndaj kësaj kategorie është faktor një ndikon në rritjen e numrit të vjedhjeve, ndërkohë që vijohet me tej me prioritetet e prokurorisë që përveç luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pohon forcimin e forcave ligjzbatuese për pjesen që qytetaret i prek direkt, sic është jeta dhe siguria publike.

Për të qenë efektiv për ndjekjen e autorëve që janë të përfshirë në vjedhjen e pasurisë, prokuroria deklaron se përvec ashpërsimit të politikës penale ndaj këtyre personave, do forcojë kontrollin periodik të proçedimeve penale në ndjekje dhe atyre që janë pezulluar.

Top Channel