Rama: Dera e hapur edhe për AK

03/03/2013 00:00

Kreu i opozitës, Edi Rama, e ka shfrytëzuar mesditën e së dielës për t’i dhënë përgjigje dhjetëra pyetjeve adresuar atij në Twitter. I pyetur për ndërtimin e një koalicioni të mundshëm më AK-në e Kreshnik Spahiut, Rama tha se “E kam ftuar publikisht Aleancën Kuqezi, njësoj si të tjerët që janë rreshtuar me fjalë kundër pushtetit! Dera është e hapur”.

Ndërsa për një tjetër koalicion mes PBDNJ-së me PD-në, Edi Rama e ka komentuar si një hipokrizi e radhës në politikën e partizave që “nuk besoj se PBDNJ si parti serioze do të ishte e aftë ta bënte!”
 
Pse Bamir Topi nuk bashkohet me opozitën? Ishte një tjetër pyetje me karakter politik.
“Sepse Bamir Topi kërkon shpëtimin e PD-së duke filluar nga ndëshkimi i Saliut dhe ka strategji për të djathtën, jo për Shqipërinë”, ishte përgjigja e Ramës.

“Si shprehjen e radhës të së vërtetës se ky pushtet e ka bllokuar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së me një sistem antivlerash.” Ky ishte komenti i Ramës rreth deklaratës së djeshme të komisionerit Fyle për inisiativën e maxhorancës në mbajtjen e një referendumi për 3 ligjet.

Ramës i janë drejtuar edhe pyetje me karakter social që lidheshin me energjinë elektrike, adminsitratën publike pas 23 qershorit, policinë dhe çmimin e ilaçeve.

“Do ulim taksën mbi faturat e energjisë dhe do imponojmë barazinë para detyrimit për të paguar. Kush vjedh energji do ndëshkohet”, ka deklaruar Rama. Rotacioni do të sjellë frikën nga ligji, jo frikën nga qeveria. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për çmimin e ilaçeve, Rama premtoi se qeverisja socialiste “do të garantojë që barnat të mos kushtojnë më shumë se në vendet europiane të origjinës. Spitalet publike do të kenë të gjithë barnat e nevojshme që pacientët të mos shkojnë të blejnë më në farmaci private. “Do t’u vëmë në dispozicion shqiptarëve një polici shteti siç nuk e kanë parë asnjëherë në këto vite tranzicion”, ishte një tjetër premtim i Ramës gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Twitter.

Top Channel