Ura e Drinit që lidh qytetin e Kukësit me pjesën tjetër të vendit, por edhe me ‘Rrugën e Kombit’, është dëmtuar duke e bërë gjithnjë e më të rrezikshëm kalimin e automjeteve në të.

Prej disa muajsh në këtë urë janë shfaqur disa të çara, perimetri i të cilave vjen duke u zgjeruar dita-ditës e për të cilat askush nuk ka ndërhyrë. Siç duket edhe në këto pamje, të çarat janë bërë edhe më të rrezikshme duke qenë se në këtë urë numri i automjeteve që kalojnë është shumë i madh.

Vetë drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar për këtë fakt i cili, sipas tyre, mund të bëhet shkak edhe për aksidente, pa llogaritur dëmtimet që i shkaktohen automjetit nëse kalon në këtë urë: “Ka shumë gropa dhe është krijuar terren i papërshtatshëm sidomos për kamionët me peshë.”

Ura e Drinit është mënyra e vetme për të hyrë e dalë nga qyteti, por edhe për të përshkuar “Rrugën e Kombit” drejt Kosovës apo Tiranës. Ajo është ndërtuar në vitin 1974, pas përmbytjes së Kukësit të vjetër dhe pesha që mund të mbajë është rreth 35 ton.

Top Channel