Automjeti i atentatit, burg të akuzuarit për vjedhje

01/03/2013 00:00

Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e 32-vjeçarit
Gentjan Bejtja, për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim të automjetit, i
cili u përdor nga autorët e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj dhe ka
caktuar arrest në burg me një afat 30 ditor.

Prokurori i Çështjes Ilir Turja gjatë seancës së caktimit të masës së arrestit kërkoi arrest në burg për një afat 45 ditor, në mënyrë që të sigurohen provat mbi fajësinë e tij të mbështetura kryesisht në tabulatet telefonike, këqyrjen e pamjeve filmike të fiksuara nga një kamera sigurie pranë vendit të ngjarjes dhe saktësimin e dëshmive nga dëshmitarët okularë.

Mbrojtja nga ana e saj deklaroi se nuk ka asnjë provë që të fajësojë 32 vjeçarin Bejtja deri në këto çaste dhe se akuza ka pasur kohën e mjaftueshme për të siguruar provat kundër tij. Në këto rrethana kërkoi lirimin e klientit të vet. Bejtja, baba i dy fëmijëve dhe në pritje të një fëmije të tretë u ndalua natën e 25 shkurtit i akuzuar për bashkëpunim në vjedhjen e makinës BMë të shtetasit Fatmir Lila, mjet që më pas u përdor në vrasjen e Lamajt dhe u gjet i braktisur në Domje të Tiranës. Që nga çasti i ndalimit Bejtja ka mohuar të jetë përfshirë në këtë ngjarje, ndërkohë që akuza pretendon se vjedhësi i BMË-së ka zbritur nga një automjet tip fuoristradë që drejtohej prej të arrestuarit.

Top Channel