Panariti takon sekretarin Kerry

28/02/2013 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, mori pjesë në Darkën
Transatlantike të organizuar në Romë nga Ministri i Punëve të Jashtme të
Italisë, z. Giulio Terzi.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me çështjet aktuale në fushën e sigurisë që janë në agjendën e NATO-s dhe Bashkimit Europian dhe sidomos për krizën në Siri, situatën në Afganistan dhe luftën kundër terrorizimit.  

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme,  gjatë darkës, Ministri Panariti u takua me Sekretarin amerikan, John Kerry. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan raportet e shkëlqyera që ekzistojnë mes të dy vendeve. Ata vunë në dukje se të dy qeveritë ndajnë pikëpamje të përbashkëta për çështjet që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë.

Sekretari Kerry përshëndeti rolin konstruktiv që luan Shqipëria në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai vlerësoi, gjithashtu, partneritetin që ka ofruar Shqipëria si anëtare e NATO-s në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe vlerave të demokracisë në zona të ndryshme të botës.  

Nga ana e tij Panariti theksoi se prioritet i Qeverisë shqiptare është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, përmes një politike të hapur dhe konstruktive. Në këtë kontekst, ajo ka synuar forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon në shërbim të stabilitetit dhe frymës së mirëkuptimit mes vendeve. Gjithashtu, ai tha se Qeveria Shqiptare ka inkurajuar dhe përshëndetur dialogun e vendosur mes autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel