Një dëshmitar okular për vrasjen e Lamajt

28/02/2013 00:00

Një dëshmitar ka parë të gjithë skenën e vrasjes së kryekomisar Dritan
Lamajt. Madje, dyshohet se, krahas të dhënave për automjetin, ka treguar
edhe disa karakteristika të autorëve.

Megjithatë, burimet nga policia dhe prokuroria nuk preferojnë të japin ndonjë të dhënë më shumë, pasi, duke parë çështjen mjaft komplekse, i rrezikohet jeta. Grupi hetimor mjaftohet vetëm me të dhënat se personi në fjalë është një dëshmitar që ka qenë pranë vendit të ngjarjes.

Sipas tyre, ai ka qenë shumë afër autorëve, madje është parë edhe nga banorët e tjerë që është shtrirë në momentin që ka filluar breshëria e parë e plumbave. “Kemi një dëshmitar që ka treguar për autorët dhe automjetin që kanë treguar. Emri i tij nuk bëhet i ditur, për arsye sigurie, ndërsa dëshmia e këtij personi ka qenë mjaft e vlefshme”, pohojnë burimet nga policia.

Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar dje një analizë të gjatë për këtë çështje, ku në mbledhje kanë qenë edhe oficerët e rinj të Policisë së Shtetit. Janë diskutuar një sërë provash që nga dëshmitë, ekspertizat dhe provat e gjetura në automjetin e autorëve, ku flitet se janë gjetur një sërë provash, që nga gëzhojat e deri te fijet e flokut. Megjithatë, do të duhen të tjera verifikime për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje komplekse.

Gjykata Penale e Tiranës ka shpallur dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Jak Jakun dhe Ndue Jakun, për akuzën e armëmbajtjes dhe municioneve luftarake pa leje, si dhe për sasinë e drogës që u bllokua në banesën e tyre gjatë kontrolleve të policisë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt në kryeqytet. Masa e sigurisë për Jak Jakun, i cili u kap nga policia greke së bashku me Arben Frrokun, është shpallur në mungesë, ndërkohë që për vëllain e tij, Ndue Jakun, masa është kërkuar në prani të tij. Në fakt, për Jak Jakun pritej që kërkesa e prokurorisë të depozitohej pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, por për mungesë provash, me sa duket organi i hetimit i është drejtuar Gjykatës Penale.

Kështu, nga akuza është kërkuar arrest me burg për praninë në shtëpinë e tij të një pushke tip snajper, 2 automatikëve, një pistoletë, armëve të gjahut, si dhe një sasie lënde narkotike të llojeve kokainë, heroinë e marijuanë. Dy ditë më parë, Krimet e Rënda shpallën masën e sigurisë arrest me burg në mungesë edhe për Arben Frrokun, si i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Ndërkohë që organi hetimor është në pritje të përgjigjes së laboratorit të kriminalistikës për armët e bllokuara te familja Jaku.

Gazeta “Shqip”

Top Channel