Merret në mbrojtje ish-shefi i krimeve në Kombinat

28/02/2013 00:00

Ish-shefi i krimeve të Komisariatit Nr.6 në kohën kur kjo strukturë
policie drejtohej nga i ndjeri Dritan Lamaj është marrë në mbrojtje nga
kolegët, pasi është kërcënuar me SMS të dërguara në numrin e tij të
policisë.

Bëhet fjalë për Aranit Arapin, i cili aktualisht mbante funksionin e shefit të Komisariatit në Pogradec, të cilit i është dërguar mesazh me tekst: “Dritani u prehtë në paqe, tani është radha jote”.

Ky mesazh i është dërguar vetëm pak minuta pasi ishte ekzekutuar kryekomisari në Tiranë, ndërkohë që veç Arapit, policia ka marrë në mbrojtje edhe familjen e tij.

Kërcënimi

Sipas të dhënave, Aranit Arapi, shef i Komisariatit të Pogradecit, e ka marrë mesazhin kërcënues më 24 shkurt, kur ndodhej me disa kolegë, duke diskutuar për çështje pune dhe menjëherë ka njoftuar eprorët e tij, ndërkohë që ende nuk ishte vënë në dijeni për vrasjen e Dritan Lamajt.

Menjëherë ai ka njoftuar eprorët e tij dhe të shtangur nga vrasja e kryekomisarit, drejtuesit e policisë kanë marrë masat që të mbrohet Arapi, por edhe familja e tij. Sipas të dhënave të besueshme policore, pasi zyrtarisht nuk jepet asnjë detaj, mësohet se menjëherë drejt Pogradecit janë nisur forcat speciale RENEA, ku kanë marrë Aranit Arapin me një makinë të blinduar dhe e kanë sjellë në Tiranë. Gjithashtu, shërbime të tjera policore janë dërguar pranë banesës së tij, duke marrë në mbrojtje familjen, ndërkohë që më vonë, siguria e kësaj familjeje u ka kaluar strukturave të repartit special RESI.

Verifikimet

Ndërkaq, celulari i të kërcënuarit është sekuestruar nga policia për t’u analizuar, ku fillimisht është identifikuar numri kërcënues dhe nëpërmjet prokurorisë i është bërë shkresë kompanisë celulare për të zbuluar emrin e poseduesit të tij. Grupi hetimor ka kërkuar të dhëna të plota për këtë numër, duke filluar që nga antenat, se ku ka qenë poseduesi kur ka dërguar SMS-në, e deri te telefonat, ku është aktivizuar numri. Sipas të dhënave, kërkohet gjithashtu, nëse në telefonat ku është përdorur karta SIM janë përdorur karta të tjera, me qëllim për të identifikuar autorin dhe për të dokumentuar plotësisht këtë kërcënim. Nga një informacion i pakonfirmuar, dje u deklarua në media se numri kërcënues ishte i paketës së blerë nga vetë policia, megjithëse kjo nuk është pranuar zyrtarisht nga asnjë prej strukturave të policisë apo të prokurorisë.

Dyshimet

Policia e lidh kërcënimin e oficerit pikërisht me çështjen e vrasjes së Dritan Lamajt, pasi në kohën kur kryekomisari drejtonte komisariatin e Kombinatit, Aranit Arapi, oficeri i kërcënuar ishte shef krimesh në këtë komisariat. Madje, edhe vetë Arapi ka qenë i ekspozuar drejtpërdrejt mes konflikteve të uniformave blu me mbështetësit e biznesmenit të arrestuar në Selanik të dyshuar për vrasjen e Lamajt. Ish-shefi i krimeve të Komisariatit Nr. 6 u largua pothuajse në të njëjtën kohë me Dritan Lamajn nga drejtimi i kësaj strukture policore, e cila mbulonte zonën e Kombinatit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel