Fotot, opozita: Të ikë kupola. Noka: Të presim drejtësinë

28/02/2013 00:00

Opozita në parlament kërkoi shkarkimin dhe hetimin e gjithë kupolës së Policisë së Shtetit e implikuar sipas saj në vrasjen e komisar Dritan Lamaj dhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka.

Saimir Tahiri tha se drejtuesit e policisë që janë në foto në krah të të ndaluarit për vrasjen e drejtuesit të lartë të policisë bashkëpunuan me të, pasi ulen në detyrë komisar Lamajn vetëm pak kohë para vrasjes së tij. Por u përgjigj ministri Noka duke kundërakuzuar.

Saimir Tahiri, deputet i PS: Këta katër drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë lidhje me lëvizjen nga detyra si shef Komisariati, si shef Komisariati të Dritan Lamajt. Këtë e dinë edhe të dy ministrat, Olldashi nga njëra anë dhe zotëria tjetër nga ana tjetër. Cohuni flisni këtu që nuk janë paguar para për të lëvizur komisarin nga Komisariati numër 6! Them edhe emra po të duash, dhe do t’i them. Kujt i mjafton që të dalin këta katër zotërinj të dalin e të thonë se heqin dorë nga hetimet?! Kush beson se Agron Kuliçaj nuk mban në dorë hetimet?! Je ministri i parë që po varros kaq shumë komisarë. Jepni dorëheqjen! Coni këta të katërt para drejtësisë! Të hetohen për vrasjen e komisar Dritan Lamajt”.

Flamur Noka, Ministër i Brendshëm: Ti zoti Tahiri, ke qenë me të dyshuarin për vrasjen e kryekomisarit duke ngrënë darkë tek dy kullat. E dyta sqaroi qytetarët sa herë ke shkelur, ke ngrënë dhe ke pirë në lokalin e të dyshuarit për vrasje. Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, kam urdhëruar të hapet një hetim i gjerë për të gjitha, qoftë për vrasjen, qoftë për të tjerat.

Një tjetër deputet i opozitës, Taulant Balla publikoi të tjera të dhëna që sipas tij vërtetojnë implikimin e plotë të drejtuesve më të lartë të policisë në vrasjen e komisarit. Fotoja, tha ai është publikuar 17 ditë përpara lëvizjes nga detyra të komisarit dhe përgënjeshtron Ministrin Noka që thotë se ajo është e 2010-ës.

Ashtu sikundër tha ai, drejtuesit e policisë duhet të hetohen edhe për deklaratat e pavërteta se nuk ka pasur kërkesë me shkrim të komisarit për marrje në mbrojtje dhe kërcënime jete.

Deputeti PS, Taulant Balla: Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Drejtori i Policisë së Tiranës kanë marrë një shkresë më datë 13 shtator 2012, ku nga kryekomisari Dritan Lamaj, që nuk jeton më, kërkohej mbrojtje pas kërcënimeve për jetë. Kjo shkresë ekziston. Dje me urdhër të Flamur Nokës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, kjo shkresë është djegur në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Tiranës. Ky është turpi i këtyre njerëzve që shprehin prova të shitjes, të tradhëtisë së një punonjësi policie.

Ministri Noka: Ti je i lidhur këmbë e kokë me trafikun e femrave. Ti zoti Taulant e ke emri Fatos Gjura dhe ti dihesh. Dhe e dyta jep pak përgjigje për atë vajzën që ke tentuar ta përdhunosh, dhe e dyta bëji analizat se mund të dalësh edhe me SIDA.

Kërkesën për dorëheqje të Ministrit të Brendshëm e ka përforcuar  një tjetër deputet i opozitës. Arben Ahmetaj tha se duhet të reformohen menjëherë uniformat blu, me drejtues e filozofi të re drejtimi, pasi vendi është në prag zgjedhjesh.

“Imagjinoni që me këtë polici dhe me këtë Ministër Rendi do të shkojmë në zgjedhje? Cfarë besimi u jep qytetarëve për sigurinë e tyre? Cfarë besimi u jep qytetarëve për votën e tyre? Vijnë këtu në parlament dhe u hakërrohen opozitës. Komisarë të vrarë. Këto kanë ndodhur 60 vite më parë në Palermo, ndodhin në Tiranë në mes të Tiranës ku vriten Komisarë të policisë në krye  të detyrës. Nuk ka më siguri në këtë vend dhe sigurisht, 23 qershori është larg për të pritur”, tha zoti Ahmetaj.

Berisha: Policia zbardhi menjëhere vrasjen

Kryeministri Sali Berisha shmangu komentet direkte për fotografitë
ku disa nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit shfaqen me
Arben Frrokun
, i dyshuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. 

Ajo që bëri Kryeministri ishte mbrojtja e Policisë së Shtetit dhe
Ministrisë së Brendshme në kryerjen e detyrës së tyre pas arrestimit të
menjëhershëm tek të dyshuarit për vrasje.

“Për rënien në detyrë të komisarit Dritan Lamaj kam shprehur të gjithë
vlerësimin dhe konsideratën time. Një gjë është e sigurtë që policia iu
përgjigj flakë për flakë dhe më shpejt se kurrë identifikimit të
autorëve të këtij krimi të shëmtuar. Ministria e Brendshme dhe
Prokuroria e Përgjithshme ka të gjitha mekanizmat për të zbardhur çdo të
vërtetë rreth këtij krimi. Ata po punojnë dhe unë kam besim të plotë.E
theksoj se Ministria e Brendshme ka të gjitha potencialet për të
zbardhur çdo element rreth vrasjes në krye të detyrës të komisarit
Dritan Lamaj”, tha Berisha.

Keto komente kryeministri Berisha i beri pas homazheve, ku u nderuan
ish-punonjësit e Shërbimit Informativ Kombetar, Besnik Hidri dhe Leke
Cokaj, të rënë në krye të detyrës ne shkurt te vitit 1997, në Vlorë, në
mbrojtje të Institucioneve shtetërore. Ish punonjesit e SHIK-ut u
shpallen deshmore ne vitin 2006, ndersa Presidenti i Republikes u ka
akorduar medaljen e Shqiponjes se Arte. Perpara homazheve, Kryeministri
Berisha zhvilloi nje takim, larg vemendjes se kamerave edhe me
presidentin Bujar Nishani, por nuk ka asnje koment zyrtar rreth
çeshtjeve te diskutuara mes tyre. 

Rama: Kupola e policisë, strehë e krimit

Përmes një deklarate për shyp, Edi Rama ka akuzuar fort kupolën drejtuese të Policisë, për lidhje me krimin, duke marrë shkas nga publikimi i fotos së krerëve të rendit me të akuzuarin për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

Rama deklaroi se eshte pikerisht inkriminimi i drejtuesve qe ka rritur shifrat e krimit dhe ka bere jeten e qytetareve te pasigurt.

Pjese nga deklarata e Rames

“Historia e fotografisë së djeshme është rrënqethëse. Jo vetë fotografia, që mund të ishte krejt e rastësishme si shumë fotografi në këtë botë. Por historia që pasoi me alibinë e turpshme të zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë e me radhë të të tjerëve, është një kulmim i degjenerimit të shtetit ku realisht nuk gjenden më fjalë.

E pra, alibia e djeshme e Kuliçit famëkeq dhe deklarata e mëpastajme e Burgajt hileqar janë mishërimi i tradhtisë ndaj Policisë së Shtetit.

ndërsa heshtja e Ministrit të Brendshëm është kapaku i një historie që duhet të vazhdojë me dorëheqjen e të treve minimalisht. Edhe të ministrit, edhe të drejtorit të përgjithshëm, edhe të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm.

Kjo trio është mallkimi i sotëm i Policisë së Shtetit. Kjo trio është fytyra e tradhtisë së përditshme që i bëhet Policisë së Shtetit. Kjo trio është dora e rrënimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit. Kjo trio është truri i korrupsionit dhe i kontrabandës që e ka kalbur krejt Policinë e Shtetit. Kjo trio është veshi që merr fjalë nga krimi dhe goja që i çon fjalë krimit. Sigurisht që nuk kam asnjë iluzion dhe nuk duhet të ketë asnjë iluzion: kjo tradhti rrënuese ka bekimin dhe dijeninë e kryeministrit, i cili pasi u vra komisari bëri një deklaratë për teknologjinë 3G! Ndërsa sot priteni me siguri të akuzojë opozitën për kushedi se çfarë të zezash.

Ja pse komisarët këputen rrugëve nga plumbat e krimit dhe asgjë nuk ndryshon. Jeta vazhdon njësoj si më parë, deri në vrasjen e komisarit të radhës.

Ja pse sot është dita për të thënë: O shqiptarë që ende shkoni symbyllaz si tifozë besnikë ndaj partisë në pushtet, hapni sytë se kjo nuk është lojë me top futbolli ditën e diel, po një lojë me jetën që po bëhet përditë dhe më e pasigurt për të gjithë pa dallim, kudo, në çdo pjesë të territorit. Sepse partia në pushtet ka tradhtuar, jo ju që i shkoni pas symbyllaz, por ka tradhtuar dhe vetveten. Dhe qeveria flet përditë për ju, po bën çdo orë dhe minutë vetëm punën e vet”.
 


Noka: Fotot nuk cënojnë hetimin

Pas publikimit të fotove ku biznesmeni Arben Frroku, i dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj, shfaqet i ulur në tryezë me kupolën e Policisë së Shtetit, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Flamur Noka. Sipas tij, fotot nuk përbëjnë problem për hetimet dhe paralajmëroi se shumë shpejt do të dalin detaje të reja që do të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjes.

“Hetimet po shkojnë shumë mirë. Çdo insinuatë për foton nuk krijon problem për hetimet. Dua që të fokusohemi tek ngjarja. Sa i përket lidhjeve të zotit Frroku me politikën do i bëjmë shpejt gjërat me dije që do ndryshojë orientim rrjedhën ngjarjes”, tha Noka pas zhvillimit të homazheve në  Qendrën Kulturore të Ushtrisë, për dëshmorët e Atdheut Besnik Hidri dhe Leka Qokaj, dy ish-oficerët e SHIK që ranë në krye të detyrës, për mbrojtjen e institucioneve shtetëror, në Vlorë.


 

Top Channel