Kosovë, nuk publikohet përqindja e Aflatoksinës

27/02/2013 00:00

Pavarësisht se kanë kaluar ditë nga konstatimi se qumështi që vjen nga Shqipëria përmban sasi mbi normën e lejuar të aflatoksinës, autoritetet kosovare të ushqimit dhe veterinarisë nuk e publikojnë përqindjen e saktë të lëndës toksike në qumesht.

Kjo për shkak se sipas zyrtarëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë përqindjet ndryshojnë dhe se super-analiza, e cila pritet të bëhet në një laborator të certifikuar do ta thotë fjalën e fundit.

Kreu i këtij insituticoni Valdet Gjinovci, i cili një ditë më parë u takua me kreun e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Artan Rexha tha se analizat kanë treguar se dy lloje të qumeshtit, prodhime shqiptare, tejkalojnë për disa herë limitin prej 0.05 mikrogram për një litër qumesht të caktuar nga Bashkimi Europian.

“Me përqindje të mos spekulojmë, por e di që vlerat janë jashtëzakonisht të larta, disa herë më shumë se sa normat e lejuara. Limitit të cilin ka vendosur Kosova është limiti i Bashkimit Europian dhe ai është limit që respektohet. Janë edhe limite të tjera që kanë shtetet tej oqeanit, por ne bazohemi tek standardet që ka BE”, deklaron Valdet Gjinovci, kreu i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë.

Por burime të tjera zyrtare, në kushte anonimiteti shpjeguan se një nga arsyet e mos publikimit të përqindjeve konkrete është se sasia e lëndës toksike në qumeshtin e hequr nga tregu është brenda normës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër lidhur me takimin me homologun e tij shqiptar, Gjinovci tha se është diskutuar për përcjelljen e informacionit për të gjitha rastet të cilat kanë të bëjnë me fushën e sigurisë së ushqimit, përfshi këtu edhe për produkte të dyshimta të cilat mund të tregtohen në emër të produkteve shqiptare.

“Sa i përket shkëmbimit të informacionit rreth produkteve që kalojnë edhe tranzit nga Republika e Shqipërisë drejt Kosovës, dhe gjitha informacionet të dërgohen direkt tek ne që të dijmë se cfarë është nisur drejt Kosovës”, tha zoti Gjinovci.

Megjithë preventivat që thuhet se janë marrë në rastin e produkteve të qumeshtit, Selatin Kaçaniku nga organizata joqeveritare “Konsumatori”, thotë se ky vendim është i vonuar.

“Unë e kam parë këtë që nga nëntori. Reaguam në fillim të dhjetorit dhe është dashur që kompetentët që janë zgjedhur për të mbrojtur konsumatorët, të dilnin për publikun që nga gushti dhe shtatori i vitit të kaluar, kohë kur ishte grumbulluara ushqimi i vitit të kaluar. Simptomat atëherë janë parë”, deklaron Selatin Kaçaniku.

Ndryshe nga disa prej markave të qumështit që vijnë nga rajonit, përmbajtja e aflatoksinës në qumështin vendor të Kosovës është brenda normave të lejuara.

Top Channel