Tregti mbi shinat e trenit

24/02/2013 00:00

Duke mos marrë parasysh asnjë rrezik, tregtarët romë në qytetin e Elbasanit, prej kohësh tashmë, i tregtojnë mallrat e tyre sipër shinave të trenit.

Një situatë e tillë vihet re pikërisht në zonën më të ngarkuar me trafik, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cerrikut”. Në mes të baltës dhe për më tepër mbi shina, këta tregtarë kryejnë aktivitetin e tyre çdo ditë, por situata paraqitet më e rënduar në ditët e shtuna dhe të diela.

Në momentin që vjen treni, ata largojnë fëmijët, ndërsa mallrat qëndrojnë mbi shina. Tregtarët romë shprehen se duhet të ndërhyhet nga pushteti lokal, për t’u gjetur një vend të përshtatshëm tregtimi, pasi me këtë aktivitet ushqejnë familjet e tyre.

Roja i kalesës së këtij kryqëzimi shprehet se problemi është mjaft shqetësues, dhjetra vetë çdo ditë rrezikohen nga treni apo nga mjetet e tjera, pasi ky është një nga kryqëzimet më të ngarkuara me trafik.

Sipas tij, megjithë ndërhyrjet e policisë bashkiake për të larguar tregtarët romë nga shinat, situata nuk ka ndryshuar. Ata rikthehen përsëri në këtë vend, pa marrë parasysh rrezikun.

Një situatë e tillë vazhdon prej vitesh në qytetin e Elbasanit, duke shtuar rrezikun jo vetëm për tregtarët, por edhe blerësit që i drejtohen çdo ditë këtij tregu.

Top Channel