Heqja e TVSH-së per makineritë, Biznesi: Të perfitojnë të gjithë

19/02/2013 00:00

Biznesi fason i kërkoi Qeverisë disa ndryshime në vendimin për heqjen e
TVSH-së për makineritë e importuara, pasi në formën aktuale, ky vendim
nuk përmbush qëllimin për lehtësimin e bizneseve.

Në një takim me ministrin e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, përfaqësues të biznesit fason kërkuan që përfitues të vendimit për heqjen e TVSH-së për makineritë të mos jenë vetëm ata që prodhojnë për eksport siç parashikon vendimi por edhe kompanitë që prodhojnë për tregun vendas të cilat aktualisht janë të përjashtuara.

Një tjetër pikë e kërkesave të paraqitura nga kryetari i Dhomës së Fasonistëve, Gjergj Gjika është edhe shmangia e burokracive me të cila përballen kompanitë për përfitimin e heqjes së TVSh-së për makineritë. Sipas fasonëve, atyre u kërkohen të kryejnë një sërë proceduras për të përfituar heqjen e TVSH-së, cka nuk është normale për sa kohë këto biznese janë në procedurë tatimore.

Pika e tretë e kërkuar nga fasonët, është të mundësohet përfshirja në përfitimin e heqjes së TVSH-së për makineritë, për kompanitë që nuk paguajnë me para në dorë por përmes bankave, një tjetër pikë e përjashtuar në vendimin e qeverisë. Sipas fasonëve, këto lehtësira janë të nevojshme në një kohë kur kjo industri ka pësuar një rënie prej 24 për qind krahasuar me një vit më parë dhe prej kohësh po përpiqet të mbijetojë për shkak të krizës ekonomike. 

Top Channel