Dita kombëtare e vullnetarizmit

18/02/2013 19:55

Me ftesën drejtuar qindra nxënësve në qytetin e Durrësit, Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve çeli një fushatë të gjerë sënsibilizimi dhe veprimi konkret për vitin 2013, e cila do të synojë krijimin e grupeve vullnetariste mjedisore në çdo qytet, duke u përqendruar në ato bregdetare.

Kësaj lëvizjeje, e cila prej katër vjetësh është autore e dhjetra aksioneve masive për pastrimin e zonave turistike, këtë viti i bashkohet në cilësinë e presidentes së nderit edhe zonja e parë e vendit, Odeta Nishani, të cilës iu dorëzua gjatë këtij takimi bluza dhe kapelja e vullnetarit. Nga ky takim zonja Nishani shpalli edhe nismën më të re në fushën e vullnetarizmit në shërbim të mjedisit.

“Rinia është forca që duhet të edukohet për kujdesin ndaj mjedisit, por ky proçes duhet të shoqërohet me aktivitete konkrete. Ne sot, për herë të parë, të shpallim ditën e pastrimit vullnetar, që do të jetë dita e fundit e çdo muaji. Ta shndërrojmë këtë ditë në ditën e aksionit vullnetar”, deklaroi zonja Nishani.

Kësaj lëvizjeje këtë vit i janë bashkuar edhe sipërmarrësit e industrisë së riciklimit për të bërë riciklimin e mbetjeve që do të grumbullohen gjatë aksioneve të pastrimit te vendit. Në fund të këtij takimi, nxënësit u ftuan të plotësojnë formularin e anëtarësimit në Korpusin e Vullnetarëve.

Top Channel