Intonimi i himnit shtetëror të Kosovës ngriti në këmbë deputetet e Kuvendit si dhe miqtë e ftuar, por jo edhe deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, ndonëse ishin të pranishëm, në shenjë proteste nuk e respektuan këtë simbolikë.

Seanca solemne vijoi punimet e saj, siç ndodh zakonisht, me fjalimet e liderëve të shtetit adresuar qytetarëve. Padyshim që ajo çfarë i karakterizoi pesë vitet e shtetësisë është përpjekja e autoriteteve të Kosovës për shtrirjen e sovranitetin në veri të vendit.

Diçka që rezultoi të jetë e pamundur, të paktën jo pa një proçes dialogu politik me Serbinë, e cila nëpërmjet strukturave të saj mban peng qytetarët e veriut. Në këtë pikë, autoritetet qendrore kanë qëndrime të ndryshme.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Kosova është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, por jo në dëm të territorit të saj, presidentja Atifete Jahjaga, duke qenë direkt e përfshirë në këtë proces, tha se nga procesi i dialogut nuk do të ketë ndarje.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës morën pjesë autoritetet qëndrore të Republikës së Shqipërisë, presidenti Bujar Nishani dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e po kështu edhe lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, dhe përfaqësues nga partitë shqiptare në Maqedoni.

Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar dhe ndërtimi i institucioneve demokratike konsiderohen arritjet thelbësore, ndërkaq ndërtimi i një shteti ligjor dhe zhvillimi i ekonomisë hyjnë në grupin e sfidave të shtetit për të ardhmen.

Pjesë e seancës solemne me rastin e përvjetorit të pestë të Pavarësisë ishin edhe deputetet, të cilët nënshkruan deklaratën e Pavarësisë në 2008-tën. Bashkë me ta ishte edhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, aktualisht nënkryetar i Partisë Demokratike.

Seancës nuk i munguan familjarët e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, dhe komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, dhe shumë personalitete të tjera ndërkombëtare e vendore.

Top Channel