Shoqet: Traumë e dytë për Florien

16/02/2013 00:00

Florie Peci ishte një studente model para se të ndodhte aksidenti. Të
mbijetuarat e Himarës, tashmë studente në degën Master në Universitetin e
Elbasanit, e cilësojnë të urtë dhe pa ndonjë lidhje dashurie gjatë
periudhës së studimeve në këtë universitet.

Kaltra Pollozhani, studentja që ishte edhe më rëndë se të tjerat, tregon se Floria ishte një studente e mirë, e rregullt, e urtë dhe shumë e thjeshtë. Nuk e kishin parë të shoqërohej me ndonjë djalë para aksidentit. Ajo thotë se kjo ngjarje e ka tronditur mjaft, pasi ajo ishte në listën për t’u dërguar gjithashtu në Austri për kurim dhe vetëm pasi është përmirësuar disi, është anuluar transporti për mjekim më të specializuar.

“Është një ngjarje shumë e tmerrshme ajo që i ka ndodhur Florijes. Më duket e pamendueshme që mund të ndodhë kjo në një spital. Mund të ishte kushdo nga ne. Është tragjike kjo që ka ndodhur”, shprehet Alma Deda. Të shokuara nga lajmi që kanë mësuar, studentet shprehen se Florijen nuk e kanë parë më në shkollë pas kthimit nga Austria. Florija nuk ka mundur ta përfundojë shkollën si të gjitha vajzat e tjera, për shkak të gjendjes së saj më të rëndë. “Ne nuk e pamë më të vijë në shkollë. Ajo u zgjua e fundit nga koma. Shoqja e saj e ngushtë ishte Juliana Tola, e cila ndërroi jetë në aksident. Ajo ishte studente e rregullt. Nuk ka pasur asnjëherë probleme. Nuk mund ta besojmë. Ajo iku për t’u mjekuar dhe mësojmë këtë lajm. Duket një skandal i vërtetë. Shpresojmë që drejtësia të bëjë punën e saj e të dënohen përgjegjësit. Kemi tentuar të komunikojmë në “Facebook”, por ajo herë shfaqej e qartë, e herë e turbullt. Ka ende pasojat e aksidentit, ndërkohë që i ndodh edhe kjo shtatzëni. Është e tmerrshme”, tregon më tej Alma Deda. Ndërkohë, lidhur me gjendjen e Florijes, ato thonë se ajo po e merrte veten ngadalë. Pasojat tek ajo ishin më të mëdha, pasi kishte pësuar një ndërhyrje në kokë. “Ne jemi mjaft të tronditura dhe jemi pranë Florijes në të gjithë këtë që ka ndodhur. Ky është një skandal dhe duhet të ketë përgjegjës”, shprehen 5 nga studentet që i mbijetuan aksidentit të 21 majit. Gjithashtu, kjo ngjarje ka shokuar edhe pjesën tjetër të studentëve dhe pedagogëve. E gjithë kjo ngjarje ka kthyer edhe një herë në mendje aksidentin dhe pasojat që sjell ai edhe sot. Lajm i pabesueshëm është quajtur nga pjesa më e madhe dhe nuk duhet të ndodhte një gjë e tillë, pasi kjo ia shkatërron jetën asaj vajze që ka kaluar traumën më të madhe të jetës së saj dhe tashmë do të duhet të kalojë një traumë të dytë.

Top Channel