Rama: Shëndetësia shqiptare, e falimentuar

16/02/2013 00:00

“Si të falimentuar dhe kancerizuar”. Kështu e ka përshkruar kryetari i
Partisë Socialiste Edi Rama situatën ku ndodhet shëndetësia shqiptare
gjatë një konference në qytetin e Elbasanit, ku janë diskutuar
ndryshimet që Qeveria e nesërme socialiste do të ndërmarrë në
shëndetësi.

Rama theksoi nevojën immediate për ndryshime rrënjësore të skemës aktuale të sigurimeve shëndetesore e vlerësuar prej tij si e falimentuar.

“Ne besojmë që sistemi i sotëm i bazuar në kontribute ka falimentuar. Sistemi që është marrë dhe është bërë pjesë e jetës sonë sot ka falimentuar pasi në 20 vjet vetëm 7 përqind e shpenzimeve për shëndetësinë vijnë nga sigurimet, gjithë pjesa tjetër vjen ose vetëm nga xhepi ose nga taksimi i përgjithshëm. Ne do ta ndryshojmë skemën në themel dhe shqiptarët nuk do të paguajnë për të kontribuar, por do të kontriubojnë kolektivisht për sistemin dhe kjo do të ndodhë nëpërmjet shtetit”, tha Rama.

Edi Rama tha se sot është centralizuar korrupsioni dhe kontrolli mbi të gjithë shërbimin shëndetësor.

“Nuk ka filluar tani e keqja, ka filluar para 20 vitesh, në këto 7 vjet është kancerizuar. Sot është centralizuar kontrolli politik mbi gjithë strukturën e sistemit shëndetësor. Po ju them sot me bindjen se me më pak, ne do të bëjmë më shumë. Për paratë sot që shpenzohen për shëndetin 800 milionë dollar në vit, shërbimi është shumë herë më i ulët”, tha Rama.

Top Channel