PS: 21 janari, provat u manipuluan; reagon MPB

16/02/2013 00:00

Faktin tronditës të Prokurorisë se eksperti i gjyqit të 21 janarit, Ndoc
Cardaku është filmuar duke manipuluar provat, me qëllim për të
justifikuar versionin e plumbit rikoshet, Partia Socialiste e quajti një
ngjarje tejet të rëndë.

Deputeti Saimir Tahiri deklaroi se kjo është dëshmia e rradhes se zinxhiri kriminal përgjegjës për vrasjet e 21 janarit.

“Evidentohet edhe një kriminel tjetër, ky Ndoc Cardaku, medemek ekspert i Ministrisë së Brendshme, që paska pasur guximin të manipuloj provat për të justifikuar versionin e Sali Berishës e vrasjes nga plumb rikoshet.Eksperti Ndoc ka menduar se mund të hedhë poshtë ekspertizën e FBI-së duke shtyrë me gisht ashkla druri në rrobat e të ndjerit Ziver Veizi, për të justifikuar versionin e plumbit rikoshet. Ne kërkojmë arrestimin e menjëhershëm të eksperit Ndoc Cardaku. Ky është një kriminel që ka guxuar të manipulojë provat njëlloj si ata të tjerët që urdhëruan dhe ekzekutuan vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikajt dhe Hekuran Dedës”, tha Tahiri.

Deputeti Tahiri theksoi se PS premton publikisht se pas 23 qershorit, të gjithë ata që kane dore e gisht për 21 janarin, nga doktori i Spitalit Ushtarak, shefi i sistemit kompjuterik në Kryeministri, eksperti Ndoc bashkë me urdhëruesit dhe ekzekutorët, Kryeministri në krye e pastaj të tjerët do të trajtohen me të gjithë respektin që meritojnë si të akuzuar për një krim shtetëror.

“Pas 23 qershorit, të gjithë këta me mendjen, dore e gisht te perlyer ne vrsjet e 21 janarit, bëjnë mirë të përgatiten për llogaritë që kanë për të dhënë para ligjit.E mos t’i shkojë ndërmend askujt se mund të shpëtojnë në harresë. Dhe meqë sot Sali Berisha ka deklaruar sot se ka ndërmend të shpallë 21 janarin ditë pushimi e festë zyrtare, e garantojmë se me këto palaçollëqe, nuk i shmanget dot përgjegjsisë për 21 janarin. Pas 23 qershorit, do e ketë pushim çdo ditë të vitit. Pushim pa qetësi, në dorë të drejtësisë dhe të ligjit”, tha Tahiri.

Ministria e Brendshme: PS shpif për 21 janarin

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, për manipulim të provave të ngjarjes së 21 janarit në laboratorin shkencor të Policisë së Shtetit.

Në një deklaratë për mediat gjatë pasdites së të shtunës, zëdhënësi i MPB i ka cilësuar akuzat e PS si shpifje në dëm të uniformave blu dhe ka akuzuar kreun e opozitës, Edi Rama, si përgjegjësin kryesor të asaj ngjarjeje.

“Partia Socialiste shpif për manipulimin e provave në laborator. Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama shpifin për Policinë e Shtetit. Vetë Edi Rama është përgjegjësi kryesor për 21 janarin. Por më 23 qershor ne do t’i japim fund murit të bllokimit”, ka deklaruar zëdhënësi. 

Top Channel