LSI: Memo të lexohet me gjakftohtësi

16/02/2013 00:00

Petrit Vasili, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë një
konference për shtyp i pyetur nga Top Channel për Memon shqetësuese të Washingtonit, bërë publike në emisionin Top Story, tha se ajo duhet
lexuar me shumë kujdes nga klasa politike shqiptare pasi vjen nga aleati
më rëndësishëm i Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Memo duhet lexuar me gjakftohtësi dhe dashamirësi dhe gjithçka që ekziston në shqetësimin e drejtpërdrejtë, të tërthortë apo të nënkuptuar duhet analizuar në çdo pjesë të saj. Mendoj që politika shqiptare është kaq e re në zhvillimet e saj dhe besoj që ka gjithmonë për të reflektuar nga një politikë e madhe, siç është politika amerikane, ndaj këqyrja me modesti dhe me mendje të ftohtë e çdo sinjali apo vlerësimi që vjen nga Amerika është besoj qëndrimi i duhur dhe i vetëm që mund të bëhet në këtë rast”, tha Vasili.

Zoti Vasili, njëherazi numri dy i Bashkisë së Tiranës përshëndeti miratimin në Këshillin Kombëtar të Territorit të Planit Rregullues të kryeqytetit, duke u shprehur i kënaqur për kontributin e LSI-së.

“Ky ka qenë një moment i rëndësishëm për jetën e qytetit edhe në pikëpamje të suportit reciprok politik për arritjen e një çështjeje të tillë. LSI dhe përfaqësimi i saj në Bashkinë e Tiranës janë të kënaqur që ky aksion pati një përfundim pozitiv dhe vota e përbashkët në Këshillin Bashkiak besoj që i shërbeu për një mision shumë të mirë për qytetin”, tha Vasili.

I pyetur për kompensimin e pronave që do të preken nga ky plan zoti Vasili deklaroi se Bashkia e Tiranës e ka moto të punës së saj kompensimin e atyre që do të preken nga zbatimi i panit.

Top Channel