Kosovë, festa e pavarësisë

16/02/2013 00:00

Albert Korpuzi është student i vitit të parë në skulpturë. Ai gdhendi në xham figurën e Skënderbeut, Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës e Nënë Terezës.

Kjo zgjoi kurreshtjen e qytetarëve që kishin dalë të bënin përgatitjet për festën e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Paratë që do t’i fitojë ai thotë se do ta ndihmojnë në vazhdimin e shkollimit.

“Është festa e Pavarësisë dhe kam vendosur t’i nxjerr punimet këtu për t’i parë njerëzit. Të interesuarit janë shumë dhe jam optimist”, tregon Korpuzi.

Në një hapësirë në qendër të Prishtinës, një ditë më vonë, më 17 shkurt, do të mbahet edhe manifestimi qëndror për 5 vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

Aty do të parakalojnë edhe pjestarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Risia e këtij manifestimi është se FSK do të paraqesë edhe 2 autbolinda dhe, përveç këtyre mjeteve, ata do të bartin edhe armët standarde të tyre.

“FSK do të marrë pjesë me rreth 500 pjesëtarë. Do të ketë autoblinda të kohës që janë dhënë nga Turqia. Aktualisht ato janë dy, por së shpejti do të jenë pesë. Armatimi do të jetë standart, me pushkë, automatikë dhe rovole”, deklaron Shemsi Veseli, zëvëndësministër për FSK-në.

Përveç FSK-së edhe Policia e Kosovës dhe Shërbimi Emergjent do të parakalojnë më këtë rast në praninë e mysafirëve nga vende të ndryshme.

Duke ditur se në ditë feste si kjo qytetarët lëvizin më shumë, atëherë Policia e Kosovës, siç njoftohet, ka marrë masat e nevojshme për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve.

Hajrush Fazliu është profesor universitar. Ai thotë se ka dalë të bëjë përgatitjet për të festuar 17 shkurtin, ndërsa së bashku me familjen në mesditë do të dalë në qendër të Prishtinës për të parë parakalimin e FSK-së.

“Është një eveniment shumë me rëndësi për shqiptarët që kremtojnë 5-vjetorin e Pavarësisë. Unë me familjen do të jem pjesë e manifestimit qendror në sheshin Nënë Tereza”, shprehet Fazliu.

Po ashtu, edhe nëpër komunat e tjera të Kosovës po shënohet 5-vjetori i Pavarësisë, që zyrtarisht filloi të premten.

Pas “Paradës së Pavarësisë”, e cila pritet të zgjatë rreth dy orë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë solemne në orën 15 të së dielës, ku do të marrin pjesë mysafirë të shumtë, përfshirë edhe deputetë nga Shqipëria.

Në orët e mbrëmjes, në qendër të Prishtinës do të mbahet një koncert festiv, ndërsa në orën 23 është paraparë edhe lëshimi i fishekzjarreve.

Top Channel