“Jo heqje të kontributeve”

16/02/2013 00:00

Pas deklaratave të njëpasnjëshme të opozitës, mbi problemet e mëdha me
të cilat prej vitesh po përballet i gjithë sistemi shëndetsor,
drejtoresha e Institutit të Kujdesit Shëndetësor në analizën vjetore,
tha se ka ende punë për të kryer në sistemin spitalor.

“Sistemi shëndetësor ka momente ku duhet përmirësuar rrënjësisht dhe ne kemi filluar punën për përmirësimin e tij dhe kjo është puna për të bërë më transparente fondet se ku jepen dhe a përfiton në fund të fundit pacienti për këto fonde, pra për të treguar eficiencën e sistemit shëndetësor”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.

Por ministri i Shëndetësise Vangjel Tavo dhe drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana kanë theksuar se heqja e kontributeve do të rëndonte skemën aktuale.

“Nuk mund të vihet duke i vënë kazmën sistemit aktual të financimit dhe të pretendimit se do ngrejë një sistem shëndetësor ku askush nuk mund të paguajë. Nëse sot 24 për qind e fondeve të ISKSH-së vijnë nga kontributet direkte, atëherë me heqjen e këtyre kontributeve krijohet një vakuum në sigurimin e burimeve financiare, që do të thotë dobësim i mbulimit shëndetësor”, tha Tavo.

“Nëqoftëse do të hiqej kjo pjesë nga financimi do t’i shtohej një problematikë shumë më e madhe problemeve të financimit që janë sot në shëndetësi, pasi bëhet fjalë për të hequr 24 për qind të fondeve, të cilat janë pjesë e fondeve për të përballuar shpenzimet që kryhen në sistemin shëndetësor. Në këtë rast, nëqoftëse do të ulen këto, atëherë ngrihet pyetja cfarë do të ndodhë me këto ulje, nga cfarë shume tjetër do të plotësohet kjo ulje, do të ketë një rritje të re taksash, apo do të ketë një ulje të shërbimeve shëndetësore që jepen sot?” tha Hana.

Edhe kryetari i Komisionit te Shendetesise Tritan Shehu, permes nje deklarate, i ka kerkuar kryetarit të opozites, se cila do te jete forma e financimit shendetësor.

“Si do t’i zëvendësojë Rama 25 për qind të buxhetit që vjen nga kontributet direkte? Unë mendoj se në të vërtetë, Zoti Rama nuk e thotë qartësisht të vërtetën dhe esencën e mendimit të tij, nuk e thotë qartësisht se ai kërkon ta financojë atë sistem nga sistemi i taksimit të përgjithshëm, pra nga taksat që do të paguajnë qytetarët, përfshi edhe ata që kanë nevojë. Sa do ta rrisë në këtë mënyrë zoti Rama taksimin që paguan popullsia? Po pagesat direkte për shërbimin shëndetësor që i bashkëngjiten kësaj forme, sa do të jenë? Pra, këtu nuk kemi të bëjmë aspak me shërbim shëndetësor falas”, tha Shehu.

Top Channel