Braçe: Berisha kopjon opozitën

16/02/2013 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe akuzon Qeverinë se paketa e ligjeve
fiskale, që heq TVSH-në e makinerive dhe pajisjeve, që Kryeministri
trumbeton si lehtësira ndaj biznesit, janë një kopje e vonuar dhe e
paplotë e propozimeve që opozita i ka bërë zyrtarisht në Kuvend, që në
mars të vitit 2012.

“Projektligjin ne e kemi depozituar në Kuvend në datën 27 mars të vitit 2012 dhe që ka të bëjë drejtpërdrejt me këto propozime. Bërjen TVSH zero të plehrave kimike, bërjen TVSH zero për të gjithë makineritë bujqësore.Projektligji është votuar kundër nga Kryeministri në sallën e Kuvendit”, tha Braçe.
 
Ndryshimet fiskale u miratuan në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar. Por varianti fillestar i tyre parashikonte heqjen e TVSH-së mbi makineritë dhe pajisjet vetëm për investimet mbi 500 mijë dollarë, duke lënë jashtë plotësisht ekonomitë fermere dhe biznesin e vogël në tërësi. Zoti Braçe thotë se ishin sërish  propozimet e opozitës, ato që e përmirësuan ligjin duke përfshirë fermat dhe biznesin e vogël.

“Për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, jo vetëm për makineri e pajisje, tashmë jo më në nivelin e 50 milionëve siç e kishte propozuar Sali Berisha, por për heqjen e TVSH-së edhe për të gjithë plehrat kimike, instekticide, pesticide ndaj fermave bujqësore të përdorura si lëndë e parë për prodhimin në bujqësi. Ky njeri i ka kundërvotuar të gjitha këto masa. Ky njeri po i kopjon të gjitha këto masa. Ka vdekur, ka mbaruar nuk ka më asnjë ide, nuk ka më asnjë program zhvillimi”, tha Braçe.

Por edhe pse janë miratuar që në dhjetor, ligjet nuk kanë hyrë në fuqi, pasi Qeveria ende nuk ka nxjerrë vendimet që i bëjnë ato të zbatueshme.

“Ajo që sot pretendon Sali Berisha si reformë fiskale, për makineritë dhe pajisjet është miratuar në dhjetor, pra në rast se ky zotëri do ta kete mendjen të qeverisë vendin do të duhet që të bëjë dallimin e qartë midis ligjit të miratuar në dhjetor dhe akteve nënligjore që e pasojnë atë, që nuk quhen reformë fiskale, por që janë thjeshtë akte në zbatim të ligjit dhe që e bëjnë funksional ligjin, që nuk janë miratuar ende dhe që po pengojnë zbatimin e këtij ligjit”, tha Braçe.

Top Channel