Banorët dhe të afërmit e Florijes, të shokuar

16/02/2013 00:00

Në fshatin Katjel, të gjithë janë të shokuar nga ajo që kanë mësuar së
fundmi. Mjaft të indinjuar nga ky fakt janë të afërmit e familjes dhe
banorët e fshatit. Kushërira Lindita Durbaku shprehet se Florija kishte
mjaft ëndrra për të ardhmen e saj dhe kjo që ndodhi i ndryshoi totalisht
jetën.

Ndërsa i afërmi Xhemal Muça shprehet se kjo është një ngjarje mjaft e rëndë për vajzën e familjen dhe kërkon që organet kompetente të zbardhin të vërtetën e të vënë para përgjegjësisë autorin. Banorë të tjerë shprehen se ky është një krim dhe autori duhet të trajtohet si kriminel. Ndërkohë, shtëpia e Florijes është thuajse e braktisur. Të gjithë familjarët e saj ndodhen në Tiranë, veç nuses së vëllait, e cila thotë se që kur e kanë marrë vesh është si një aksident i dytë pas atij që Florija pësoi në Himarë.

“Jemi të tronditur. Ky ishte më keq se kur morëm vesh aksidentin. Nuk dimë çfarë i ka ndodhur, pasi as ajo vetë nuk di të thotë asgjë, sepse nuk mban mend. Ishte një lajm i tmerrshëm”, shprehet ajo. Ndërsa Gjergji Dhono, mjeku gjinekolog i zonës, e ka konfirmuar shtatzëninë e Florijes i pari, duke ia transmetuar lajmin asaj dhe familjarëve. “Vizitën e parë e kreu tek unë. Florija ishte shtatzënë dhe kur i thashë familjarëve, u shokuan. Ndërsa vetë ajo e mori me të qeshur. Dukej që nuk ishte shumë mirë. Ishte e shpërqendruar dhe kishte veprime që nuk tregonin normalitet”, shprehet ai. Ndërkohë, mjekja e familjes, Violeta Koro, që e ka ndjekur Florije Peçin që nga koha kur është kthyer nga Austria, pohon se gjatë këtyre muajve, ajo nuk ka pasur probleme shëndetësore e fizike. Por ka qenë e motra që e ka njoftuar për dyshimet e barkut që po i rritej.

 

Top Channel