“Senatorët” e PD-së heshtin për ish-kryetarin

15/02/2013 00:00

Riardhja e Selamit duket se nuk ka pasur një entuziazëm të madh nga ana e
lidershipit të Partisë Demokratike, përkatësisht “grupit të
qëndrestarëve”, të cilët nuk kanë lëvizur nga selia blu edhe kur ajo ka
qenë në ditët e vështira.

Si nënkryetarja e Kuvendit, njëkohësisht numri dy i selisë blu, Jozefina Topalli, ashtu dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, njëkohësisht ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk janë prononcuar në lidhje me mundësinë e kandidimit të Eduard Selamit në listat për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Gjithashtu as nënkryetari tjetër, aktualisht dhe kryetar i grupit parlamentar, Astrit Patozi, apo edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, pjesëtar i grupit të “qëndrestarëve”, nuk kanë komentuar rikthimin e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, që drejtoi selinë blu për një kohë të shkurtër, por në “dublimin” e presidentit të atëhershëm të Republikës, Sali Berisha, i cili ishte kryetar de fakto i partisë.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, një nga themeluesit e PD-së, në vitin 1990, i larguar për një kohë e më pas i rikthyer, nuk pranoi të komentonte për “Shqip” ngjarjen më të re brenda radhëve të demokratëve, duke theksuar se “kam folur diku tjetër”.

Të vetmit zëra publikë pozitiv për rikthimin e Eduard Selamit kanë ardhur nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, por edhe nga ish-pasardhësi i Selamit në PD, aktualisht deputeti Tritan Shehi. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dy ditë më parë, se “rikthimi i tij në politikën shqiptare do të ishte diçka mjaft pozitive dhe kam parasysh këtu mesazhet e tija të përmbajtura e të përgjegjshme”. Por eksponentë të Frymës së Re Demokratike, por edhe ish-themelues të PD-së që janë oponentë me vijën aktuale, nuk e kanë pritur pozitivisht “çështjen Selami”. Nënkryetari i FRD-së, Daut Gumeni, deklaroi se “Selami bëri mirë që u rikthye në vathë, por të mos bëjë ‘profetin’ për fatet e FRD-së”. Ndërsa Shenasi Rama, e kishte portretizuar me një tablo të Rembrandit “Rikthimi i djalit plëngprishës”.

Top Channel