Familjarët e Gërdecit tek Rama

15/02/2013 00:00

Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit shprehen shqetësimin
dhe irritimin e tyre pas vendimit të Gjykatës së Apelit gjatë një takimi
me kreun e opozitës Edi Rama.

Ata janë shprehur se ky krim shtetëror ende nuk është zbardhur dhe se ideatorët dhe organizatorët e fabrikës së vdekjes as nuk janë gjykuar fare.

“Në një shtet demokratik nuk ecet duke bërë gjithë këtë tragjedi, duke vrarë 26 veta në Gërdec, duke vrarë dhe në 21 janar dhe mos të dënohet asnjë”, thotë një prej familjareve.
 
“Një përgjigje shumë qesharake, që gjykata dhe prokuroria nuk kanë vullnetin tani që të hapin çështje ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes”, thotë një tjetër familjar.

Edi Rama siguroi familjarët e viktimave të Gërdecit për angazhimin maksimal të PS-së për të vendosur drejtësinë e munguar pas 23 qershorit.

“21 janari dhe Gerdeci, jo nuk kanë mbaruar, por nuk kanë filluar të gjykohen. Kjo është bindja dhe ky është angazhimi ynë. Ne do t’i mbështesim me të gjitha fuqitë tona familjet e dëshmorëve të 21 janarit dhe të gjitha familjet e viktimave të krimit shtetëror të Gërdecit, për të arritur që ata që ikën të prehen në paqe dhe ata që mbetën apo ata që do vijnë të mund të mbyllin sytë në paqe kur të flenë gjumë natën, sepse drejtësia u bë”, u shpreh Rama.
 
Kreu opozitës nuk ka ngurruar të kritikojë përsëri reagimin e trupës gjyqësore të 21 janarit pas qëndrimit me tone kritike të ambasadës amerikane, pas vendimit të lexuar prej tyre.

“Trupa gjyqësore që bëjnë fletë-rrufe për qeverinë amerikane. Kjo frymë padrejtësie po i merr frymën vendit dhe mbi të gjitha nuk është aq larg kur është tek tjetri, sepse radhën e ke ti, dhe kur të vjen të dera është tepër vonë”, tha Rama.

Top Channel