Berisha: S’kemi pretendime territoriale

15/02/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar një seancë të posaçme parlamentare për pesëvjetorin e pavarësisë së Kosovës për të kthyer përgjigje për tërheqjen e vëmendjes që Uashingtoni i bën Tiranës zyrtare për tonet nacionaliste të rritura, të shprehura në memon konfidenciale që u publikua një ditë më parë në emisionin “Top Story”.

Kreu i qeverisë tha se, në ndryshim nga fqinjët, nacionalizmi shqiptar është i mbështetur mbi vlerat e lirisë, duke sjellë si shembullin e shprehjes së tij, linjën e mbështetur nga ish-presidenti kosovar Ibrahim Rugova.

“Nacionalizmi shqiptar është forca udhëheqëse e çdo qytetari të këtij vendi, e çdo politikani të këtij vendi për të realizuar qëllimet më fisnike të kombit tonë, për të realizuar projektin e madh të integrimit europian, për të realizuar bashkimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin, për të realizuar aspiratat e shumë gjeneratave, të cilët sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Ky nacionalizëm nuk ka pretendime territoriale, nuk bazohet në doktrinat shfarosëse siç bazohen nacionalizmat që na rrethojnë, ky nacionalizëm bazohet në vlerat më qytetare”, tha Berisha.

Në seancën e posaçme për përvjetorin e pestë të pavarësisë së Kosovës ishin prezent krerë të institucioneve të tjera, përfaqësues të komunitetit fetar dhe diplomatë, ndërsa ka rënë në sy mungesa e ambasadorëve më aktivë në Tiranë, si ai i SHBA, BE-së dhe OSBE-së, për të cilët Kuvendi thotë se kanë pasur ftesë.

Rama: Berisha, turbofolk nacionalist

Por në seancë kanë munguar gjithashtu deputetët e opozitës, që sipas tyre nuk janë njoftuar. Një akt ky që ka shkaktuar reagimin e kreut të opozitës Edi Rama. Edhe këtë veprim të drejtuesve të pushtetit, kreu i Partisë Socialiste e argumentoi si të nxitur nga ethet elektorale.

“Këta janë atdhetarët e mëdhenj që përvëlohen për Kosovën deri në pikën sa për të marrë ca vota më shumë në Shqipëri, janë gati të hedhin në erë urat e ngritura gjatë paqes në rajon me retorikat e tyre prej turbofolku nacionalist. Këta janë pra, ata që me shqiptarët e Kosovës luajnë luftash për bashkim, duke inskenuar dhe shfaqje si e sotmja që na turpërojnë si komb për qeverinë që kemi në Tiranë, ndërkohë që në luftën e tyre mizerabël për pushtet në vite furnizuan me naftë Milosheviçin, kur tërë bota e mbante të rrethuar si armik të njerëzimit dhe të shqiptarëve; persekutuan në Tiranë liderët e UÇK-së dhe e sulmuan publikisht me shpifje UÇK-në si bandë narkotrafikantësh marksiste-leniniste; ndërsa sot provokojnë miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, me një retorikë perverse që kërcënon të hedhë në erë, të gjitha arritjet madhështore të shqiptarëve si komb në këto vite falë mbështetjes së këtyre miqve e partnerëve”, deklaroi Rama.

“5 vjetori kërkonte jo një seancë të improvizuar, për Kryeministrin dhe Kryetaren, një seancë jubilare të mirëfilltë me organizim dhe të ftuar special, dhe sigurisht me përgatitjet e duhura. Por kjo nuk ndodhi sepse Kosova, Shqiptaria apo vetë kombi i ndarë në 5 shtete, siç kuturiset ta përshkruaj kryeministri në ikje, për këta që qeverisin sot Shqipërinë, janë vetëm material elektoral”, tha kreu i PS.

Kuvendi: Rama gënjeu, deputetët e PS u njoftuan

Por për deklaratat e Ramës reagoi Kuvendi, i cili tha se deputetët socialistë u njoftuan për seancën, por ata nuk i la kryetari i tyre që të ishin të pranishëm në të.

“Sekretaret e Kuvendit kanë njoftuar tavolinë për tavolinë çdo deputet që dje ishte në seancë. Dhe, më e rëndësishmja, zyra e protokollit telefonoi sekretaren e kryetarit të grupit parlamentar të PS, e cila kërkoi informacione të mëtejshme për këtë aktivitet, që i janë vënë në dispozicion PS-së nga Kuvendi”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Parlamentit.

Top Channel