Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u takua këtë të premte me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti.

Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, në takim u fol për çështje me interes të përbashkët, ndërsa ambasada amerikane ende nuk ka dhënë asnjë koment për temën e bisedimës.

Ky takim vjen një ditë pas publikimit të memos konfidenciale, por jo sekrete, që iu adresua Shqipërise pak ditë më parë.

Dokumenti, të cilën ambasada amerikane në Tiranë dhe Ministria e Jashtme refuzuan ta komentojnë,  u la mbi tryezën e ministrit të Jashtëm, në datën 28 janar dhe u arrit të sigurohej pas një investigimi disa-ditor të gazetarëve të “Top-Channel”, duke u transmetuar ekskluzivisht në “Top-Story”, emisionin e përjavshëm politik të drejtuar nga Sokol Balla.


TEKSTI I MEMOS QE AMBASADA AMERIKANE I DOREZOI MINISTRISE SE JASHTME SHQIPTARE
(teksti përmban vetëm pjesët konfidenciale të zbardhura nga Sokol Balla në “Top Story”)

“Ne jemi tejet të zhgënjyer dhe të shqetësuar se liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon.

Deklaratat e fundit publike të bëra nga politikanët shqiptarë kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegjshme, në atë të retorikës kundërproduktive dhe potencialisht të rrezikshme. Këto deklarata jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit, por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin dhe ndikojnë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara…duke përdorur mesazhe negative etnike për qëllime politike, është destabilizuese dhe kundërprodhuese.

Përdorimi i mesazheve etnike negative për qëllime politike duhet të ndalojë tani! Zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë justifikim për retorikë të papërgjegjshme.

Ne i bëjme thirrje politikanëve shqiptarë dhe liderëve politikë të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të mos futen në punët e brendshme të Serbisë. Përkundrazi, fokusohuni në përparësitë e popullit shqiptar në Shqipëri: zgjedhje të lira dhe të ndershme, integrimi me Bashkimin Europian, mundësi të përmiresuara ekonomike etj.

Shqipëria mund dhe duhet të jetë një fqinj i përgjegjshem dhe bashkëpunues, por politikanët e saj duhet fillimisht t’i rrinë larg tentacionit për të luajtur kartën nacionaliste. Nuk po beni një përshtypje të mirë, ndërsa përgatitemi për ardhjen në krye të Departamentit të Sekretarit të ri të Shtetit.

Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht!”

Top Channel