Ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu, është takuar pasditen e së enjtes me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Takimi mes Arvizut dhe Ramës është zhvilluar në Selinë Rozë.

Sot, Edi Rama takoi gjithashtu edhe ambasadorët e BE-së në vendin tonë. Takimi i përjavshëm i së enjtes i ambasadorëve të BE-së në Tiranë, kryesuar nga ambasadori Ettore Seqiu, është shfrytëzuar për të dëgjuar pikëpamjet e shefit të opozitës Edi Rama.

Për plot 2 orë ambasadorët ishit të interesuar të mësonin këndvështimet e Ramës që lidhen me retorikat e shtuara nacionaliste në politikën shqiptare, përfshi shqetësimet e opozitës për sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit.  

Burime diplomatike ne perfundim te takimit, i thanë Top Channel se gjatë pyetjeve drejtuar Ramës, ambasadorët kanë shprehur shqetësime që lidhen me klimën e biznesit ndaj sipërmarrësve të vendeve të tyre, kryesisht me ankesat që marrin nga sjellja e organeve tatimore dhe presionet e vazhdueshme. Po të njëjtat burime pohuan se është diskutuar edhe përsa i përket ndërtimit të një skeme monitorimi nga BE, të zgjedhjeve krahas misionit tradicional të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, iniciativë që është mirëpritur nga Rama.
 
E pyetur nga Top Channel se si mund ta përshkruane takimin me Edi Ramën, ambasadorja e Gjermanisë Carola Muller Holtkemper dha kete përgjigje.

“Ai na shpjegoi këndëvështrimet e tij që lidhen me programin e PS-së. Ishte shumë i qartë gjatë diskutimit për cështje që lidhen me pozicionin e tij për retorikat nacioaliste, zgjedhjet e ardhshme pëfshi problemet që lidhen me sipërmarrësit e bizneseve të huaj dhe lokal. Dua të theksoj se sqarimet e zotit Rama ishin bindëse përsa i përket këdvështrimeve të  tij”, tha ambasadorja gjermane.

Ndërsa kryetari i PS-së Rama la të kuptohet se nga ky takim ka marrë garancitë e duhura se zgjedhjet e 23 Qershorit do të kenë një vëmendje maksimale nga BE.

“Ishte një bashkëbisedim i hapur, i drejtpërdrejtë, dhe pikërisht pse ishte i tillë më lejoni të mos bëj më shumë komente, por të nënvizoj për ata që janë të interesuar që vota të mos cenohet dhe cdo votë të numërohet ndershmërisht jemi në një proces ku themi se çdo shqiptar që do Shqipërinë evropiane përmes zgjedhjeve të lira nuk është vetëm, por ka shumë miq rreth e rrotull që nuk do ta lënë vetëm”, tha Rama.

Top Channel