Përlotet Vatikani… Favorit Turksoni

14/02/2013 23:50

Priftërinj nga të gjitha famullitë e Romës vërshuan në Vatikan për një takim me Papën Benedikt, pas njoftimit për dorëheqjen e tij.

Të emocionuar nga fjalët e Atit të Shenjtë, një pjesë nuk i mbajtën dot lotët, megjithatë Papa u tregua i kujdesshëm ta zbuste atmosferën edhe me ndonjë anekdotë.

Ashtu siç ishte përmendur dhe më herët në media, Papa la të kuptohej se do të tërhiqet në lutje larg syve të publikut, pasi të japë dorëheqjen në fund të muajit.

“Ju falemnderit të gjithëve për dashamirësinë tuaj. Edhe pse do të tërhiqem në izolim, unë do të jem gjithmonë pranë jush dhe jam i sigurt se kjo do të jetë e vlefshme edhe për ju, edhe pse unë do te jem larg syve të botës”, u shpreh Papa.

Benedikti i 16-të mendohet se do të qëndrojë në një manastir në Vatikan, ndërsa marrëdhënia me pasardhësin e vet, sipas “Reuters”, duket se do të mbetet burim spekulimesh.

Papa i ri do të zgjidhet nga kardinalët përpara pashkëve, që këtë vit kremtohen në 31 mars. Një nga emrat e parë të përmendur, shumë shpejt pas njoftimit shokues të dorëheqjes, si pasuesi i mundshëm i Ratzinger-it, ishte Peter Turkson nga Gana.

Presidenti i Këshillit Papal të Vatikanit për Drejtësinë dhe Paqen i tha Zërit të Amerikës se etniciteti dhe raca nuk duhet të kenë asnjë rol në zgjedhjen e Papës. Por, edhe pse është e natyrshme që afrikanët të dëshirojnë një Papë nga kontinenti i tyre, ai më modesti shton se më e rëndësishme është që vëmendja të përqendrohet se kush është personi më i përshtatshëm për të vazhduar udhëheqjen në Shën Pjetër.

Nëse i përzgjedhuri i kardinalëve do të jetë ai, Turkson do të bëhej Papa i parë jo-europian, që do të udhëheqë 1,2 miliardë katolikë në të gjithë botën.

Top Channel