Albpetrolit i hiqet ekskluziviteti i gazit

14/02/2013 00:00

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj që i heq Albpetrolit të drejtën e ekskluzivitetit në transmetimin e gazit natyror për disa zona të Shqipërisë, që Enti Rregullator ja dha vetëm pak muaj më parë.

Opozita akuzoi se kjo ishte një skemë korruptive përmes të cilës u tentua të merreshin të drejta sovrane.

“Iu dha një e drejte ekskluzive me një licensë, apo me një vendim të ERE-s thjesht dhe vetëm për procesin e privatizimit. E menduan se Albpetrolin do ta blinin vetë, do ta merrnin vetë. Pikërisht për këtë arsye e frynë me të drejta sovrane shtetin shqiptar sic ishin dhe të drejtat e ndarjes, prodhimit dhe marrëveshjes së hidrokarbureve që i takojnë shtetit shqiptar dhe iu dha këtu në parlament me një ligj privatizuesit. E frynë duke grumbulluar pafund në Albpetrol sasi nafte”, deklaroi deputeti socialist, Erjon Braçe.

Por Ministri i Financave, Ridvan Bode tha se licensa e gazit që iu dha Albpetrol nuk ishte ekskluzive, pasi qeveria ishte duke pritur vendimin për ndërtimin e gazsjellësit.

Licensën e gazit e ka patur, por jo ekskluzivitet, e ka patur historikisht, e ka patur ekskluzive dhe i është hequr në kontratën e privatizimit nga ekskluziviteti. Kjo është e vërteta e rasti sepse kemi qenë të bindur që ekskluziviteti nuk mund të jepej përderisa ne po prisnim ndërtimin e një linje ndërkombëtare të transmetimit të gazit të lëngshëm”, reagoi Ministri i Financës, Ridvan Bode.

“Menduat se do ta blinit vetë, që ai zotëria e rriti aq shumë cmimin sa të mblidhnit të gjitha paratë tuaja bashkë nuk e blinit dot Albpetrolin. Tani ngeli dhe po tërhiqni të gjitha ato që i dhatë sepse menduat që do ta blinit dhe në këtë pikë sigurisht që ka përgjegjësi, nga Ministria e Ekonomisë, tek tenderi, nga lobuesi Patton Boggs e deri tek i fundit që iu mashtroi dhe ju tërhoqi zvarrë për 5-6 muaj me radhë duke e kthyer privatizimin e Albpetrolit në një turp kombëtar sic thuhet sot në Financial Times”, u kundërpërgjigj deputeti Braçe.

Vitin e kaluar pak ditë pas zhvillimit të tenderit për shitjen e Albpetrol Enti Rregullator i dha kësaj kompanie dy licensa ekskluzive për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror në disa zona të vendit, përfshirë Dumrenë, edhe pse Shqipëria priste vendimin final për projektin e gazsjellësit trans-adriatik.

Por me dështimin e ofertës së bujshme 850 milionë euro për blerjen e Albpetrol, qeveria është tërhequr duke ia hequr ekskluzivitetin e gazit Albpetrolit, që në rast miratimi të projekti TAP do të krijonte probleme më gazsjellësin, si një nga investimet e pritshme më të mëdha në Shqipëri.

Top Channel