Rama: Ndryshim rrënjësor në shëndetësi

13/02/2013 00:00

Kushtet e spitalit të Burrelit nuk bëjnë përjashtim nga ato të qyteteve të tjera. Mjeket në këtë spital nuk dinë se nga t’ia nisin kur flasin për vështirësitë e përditëshme gjatë vizitës që pati kreu i opozitës Edi Rama në kuadër të javës së shëndetit gjatë prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare.

“Spitali ka ardhur duke u rrudhur përditë. Gjysma e specialistëve mungojnë, në pajisje absolutisht prej 8 vjetësh nuk ka hyrë pothuajse asnjë pajisje. Ka hyrë vetëm një aparat grafie, edhe ai në gjendje të keqe, që një javë punonte e një muaj s’punonte dhe asgjë tjetër. Laboratorët janë të para 20 vjetëve, ndërkohë që teknologjia ecën me muaj e jo më me vite. Duhet ndryshuar sistemi. Ky sistem që është nuk vlen”, tha një mjek.

“Absolutisht nuk shkon shërbimi shëndetësor pranë pacientit. Ngelet gjithçka në mes të rrugës, sepse sistemi nuk funksionon. Absolutisht asgjë nuk është bërë. Investimet janë lëvruar me miliona lekë të tatim paguesve, por nuk kanë arritur në destinacionin e duhur”, u shpreh një tjetër.

Një burrë rreth të 50-ave i ka treguar kryesocialistit Rama kalvarin e tij nëpër spitalet e kryeqytetit. “Unë kam bërë dy herë operacion dhe pres të bëhem për herë të tretë. Të shkosh te onkologjiku është një ferr i vërtetë. Edhe kafshët nuk trajtohen në mënyrë të tillë. Në momentin që kam kaluar te onkologjiku më kanë kërkuar 7 mijë euro, duke më thënë hajde në privat se s’kam kushte te spitali shtetëror. 15 milionë lekë kam lënë spitaleve”, tha ai.

Nga ana e tij kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë këtij bashkëbisedimi u shpreh se ajo çfarë pohuan mjekët dhe pacientët është pasqyra më e qartë e falimentimit të sistemit.

“Ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht. Të kalojmë në një sistem shëndetësor të bazuar te bindja se shëndeti nuk është mall që blihet, por është e mirë publike që duhet të garantohet. Dhe mbi këtë bazë ne do të shkojmë përpara. Arsyeja për të votuar programin tonë në 23 qershor është shumë e fortë, në mënyrë të posaçme për të gjithë ata që dëshirojnë një kujdes shëndetësor të një niveli tjetër dhe një sistem shëndetësor që të mos i përjashtojë të papunët, duke u thënë, s’jeni të siguruar se s’keni punë dhe kur s’keni punë mos u sëmurni se pastaj s’keni lekë dhe kur s’keni lekë nuk mund të kujdesemi për ju”, theksoi Rama.

Kryetari i PS, luhatje tensioni në Burrel

Gjatë takimit në spitalin e Burrelit, kryetari socialist Edi Rama kërkoi ndihmë mjekësore pasi shfaqi probleme me tensionin.

Sipas dëshmitarëve, kryetari socialist mbërriti rreth orës 11 të së Mërkurës në Burrel nën shoqërinë e drejtuesve lokalë të opozitës.

Pasi u fut në repartin e pediatrisë, dëshmitarët thonë se ai shfaqi shqetësime për shkak të luhatjes së tensionit. Mjekët e vizituan dhe për rreth 30 minuta i dhanë serum.

Sipas mjekëve, Rama që në fillim të vizitës kishte dhimbje koke dhe gjendjen e tij mund ta këtë rënduar udhëtimi. Rreth orës 12 e 30 minuta gjendja e tij u stabilizua.

Partia Socialiste e konfirmoi këtë me një njoftim ku shpjegoi se: “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka patur luhatje tensioni. Mjeku i Spitalit të Burrelit, z.Hasan Ceni konfirmon se pas një trajtimi të shkurtër me serum, gjendja shëndetësore e kryetarit Rama është stabilizuar”.

Vetë Edi Rama pas kthimit në Tiranë, nëpërmjet një mesazhi në Twitter, tha: “Ndjesë atyre që u shqetësuan nga një lajm i deformuar për shëndetin tim që mori dhenë! Asgjë serioze. Pas takimit në Burrel jam në zyrën e PS”.

Top Channel