PR: Përfaqësim me kandidatët tanë

13/02/2013 00:00

Partia Repubikane ka nisur organizimin e saj për zgjedhjet e 23 qershorit dhe në qendër të punës në këtë fazë të organizimit do të jetë hapja e zyrave elektorale në të gjithë vendin dhe komunikimi me qytetarët derë më derë.

Në takimin me drejtuesit republikanë në rrethe, kryetari Fatmir Mediu ka bërë të ditur se Partia Republikane do të përfaqësohet në zgjedhjet e 23 qershorit me kandidaturat e saj në të gjithë vendin. Sipas zotit Mediu këto zgjedhje kanë rëndësi jetike për të ardhmen europiane të vendit.

“Zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Janë zgjedhje të rëndësishme që ndajnë dy rrugë, rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, të qendrimit dhe angazhimit të kësaj mazhorance në interes të qytetarëve shqiptarë me rrugën e bllokimit të këtij procesi”, tha kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.

Në programin elektoral të republikanëve edhe çështja kombëtare do të zërë një vend të posaçem.

“Cështja kombëtare është padyshim e lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është e lidhur me dinjitetin dhe kushtet që ne i japim cdo qytetari shqiptar, me forcën që duhet të kenë institucionet në cdo skaj ku jetojnë shqiptarët si institucione europiane. Nëse do të gëzojmë këto, ne padyshim do të gëzojmë një status si shqiptarë të bashkuar në Europën e bashkuar”, deklaroi Mediu.

Top Channel