PD: Propozimi i Ramës centralizon sistemin

13/02/2013 00:00

Deputeti demokrat, njëherësh nënkryetar i Komisionit Parlamentar të
Shëndetësisë, Tritan Shehu hodhi poshtë akuzat e liderit të opozitës Edi
Rama, sipas të cilit skema aktuale e sistemit shëndetësor në Shqipëri
ka dështuar.

Duke iu referuar deklaratës së zotit Rama se në Shqipëri janë mbi 1 milion qytetarë të papunë që nuk janë të siguruar, deputeti demokrat sqaron se peshën më të madhe në këtë grup e kanë pensionistët dhe kategori të tjera, të cilat futen automatikisht në skemë.   

“Janë 530 mijë vetë që janë automatikisht të futur në skemën e sigurimeve pa kontribuar sepse janë pensionistë. Nëse zoti Rama e ka për të papunët, për invalidët, po janë një numër shumë i madh invalidësh, të cilët janë automatikisht në skemë dhe financohen nga buxheti i shtetit dhe janë të siguruar automatikisht pa kontriobuar për sigurimet. Janë edhe të papunët dhe ata më përkrahje sociale, të cilët janë në skemë”, tha Shehu.

Sipas zotit Shehu, skema e propozuar nga opozita për blerjen e shërbimit shëndetësor, duke ia dhënë falas qytetarëve do të thotë centralizim i sistemit.

“Unë mendoj që është sistemi i vetëm i suksesshëm. Kjo është eksperienca europiane që duhet nxitur, zgjeruar në vendin tonë. Ta mohosh, ta shkatërrosh do të thotë të kthehesh në pikën zero dhe kjo lidhet me konceptet e Ramës, që kërkon ta kthejë shëndetësinë në kohën e absurditetet e tjera komuniste”, tha Shehu.

Duke u ndalur tek shërbimi i dializës, zoti Shehu hodhi poshtë akuzat e opozitës duke thënë se nga viti 2005 kur nën dializë në Shqipëri kishte vetëm 50 pacientë, sot janë mbi 700 të tillë, trajtimi i të cilëve paguhet nga sistemi i sigurimeve. Ndërsa lidhur me skemën e re që hyn në fuqi në muajin mars, deputeti demokrat tha se ajo synon zgjerimin e skemës duke i dhënë mundësinë qytetarëve të kryejnë shërbimin shëndetësor aty ku duan, duke patur mbi kurriz shumën që kanë kontribuar.  

Top Channel