Papa “pezulloi” fushatën

13/02/2013 00:00

Largimi i Papa Benediktit të 16-të ra si bombë mbi fushatën zgjedhore
italiane, në prag të votës politike të 24 dhe 25 shkurtit. Nje prej
specialistëve të sondazheve deklaroi se fushata mori fund minutin e
dhënies së lajmit të Papës, i cili fshiu nga vëmendja e mediave dhe e
njerëzve politikën.

Ende nuk ka ide të qarta se si mund të ndikojë ikja e Papës mbi zgjedhjet e afërta, e aq më shumë mbi secilin kandidat të marrë në veçanti. Për ish-Kryeministrin Silvio Berlusconi mund të jetë një goditje e rëndë sepse në këtë periudhe deri në prag të zgjedhjeve ai kishte në plan një prani të madhe në media, nëpërmjet të cilave ai kishte synim fitimin e votave të zgjedhëse të pavendosur.

Stili i tij, i karakterizuar nga ekzagjerimet, batutat, shakaë dhe deklaratat e bujshme, bie ndesh me klimën e krijuar, e cila ka nevojë për refleksion dhe për maturi. Gjë që mund të ndihmojë kandidatin Mario Monti i cili mishëron këto karakteristika dhe që është shumë i mbështetur në mjedisët katolike. Mendohet se ikja e Papa Benediktit të 16-të do të mund të sjellë rrjedhoja pozitive edhe për atë që deri tani konsiderohet si fituesi i mundshëm, lideri i të majtës Pierluigi Bersani.

Fushata e tij zgjedhore, ashtu si dhe vetë karakteri i tij është shumë larg zhurmës dhe bujës. E mungesa e Berlusconit në televizion, për shkak të rishikimit te programeve dhe transmetimit të emisioneve specialë mbi çështjen e Papës, mund t’i sjellë avantazh rivalëve të tij politikë.

Një gjë është e sigurt, ngjarja epokale e ikjes së Papës, ndryshoi rrënjësisht klimën parazgjedhore dhe do të detyrojë të gjithë politikanët që të ulin tonet. Ndryshe nga parashikimet, gjithçka do të luhet javën e ardhshme, kur lajmi i bujshëm nga Vatikani në një farë mënyre do të jetë metabolizuar.

Top Channel