Konklava fillon më 15 mars

12/02/2013 23:15

Do të fillojë më 15 mars konklava dhe parashikohet që brenda Pashkëve, të cilat këtë vit bien më 31 mars, të jetë zgjedhur pasuesi i Benediktit të 16-të.

Në bazë të rregullores së aprovuar nga vetë Jozef Racinger për zgjedhjen e Papës, kandidati fitues duhet të ketë një shumicë prej dy të tretave të votave.

Më parë, kur brenda dhjetë ditëve të para dhe 30 votimeve nuk arrihej një shumicë e tillë, zgjidhej kandidati që kishte “50 përqind plus një” të votave.

Zyra e Shtypit të Vatikanit bëri të ditur se Shenjtëria e Tij anuloi proçesionin në Aventino, në program për të mërkurën, por ai do të kryesojë ritin e hirit në Shën Pjetër.

Ky do të jetë riti i fundit, që Papa do të celebrojë në prani të kardinalëve. Të enjten në mëngjes, ai ka në program një takim më famulltarët e kryeqytetit dhe mbetet ende i konfirmuar takimi i shkurtër më presidentin rumun, Traian Basescu, dhe lutja tradicionale e së dielës.

Angazhimi i fundit në axhendën e Benediktit të 16-të është pritja e zakonshme e përgjithshme e ditës së mërkurë, 27 shkurt.

Pas largimit të Papës nga froni, Jozef Racinger do të dorëzojë unazën e peshkatarit, e cila do të shkrihet edhe në këtë rast, ashtu siç ndodh kur një Papë ndërron jetë.

Fillimisht ai do të shkojë në rezidencën e “Castel Gandolfos” nga ku, ndoshta do të ndjekë zhvillimet në Selinë e Shenjtë. Më pas do të kthehet në Vatikan, ku do të jetojë në një manastir murgeshash klauzure; do të jetë shumë pranë, por edhe shumë larg pushtetit të dikurshëm.

Top Channel