Arvizu: Duhet demokraci funksionale

12/02/2013 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu ka
patur një bisedë me dyer të mbyllura me anëtarët e Komisionit
Parlamentar Shqiptar të Sigurise, në prag të shqyrtimit të një ligji
tepër të rëndësishëm, atë të mbikëqyrjes parlamentare në shërbimet
informative dhe ato te sigurise kombëtare.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu pas takimit ka dhene tre mesazhe te forta dhe te qarta, jo thjesht dhe vetem ne adrese te deputeteve te Komisionit.

“Folëm mbi parimet themelore, meqenëse si Shtetet e Bashkuara edhe Shqipëria janë aleate në NATO. Mes parimeve të shumta që diskutuam, theksin e vumë tek tri prej tyre posaçërisht. I pari është që çdo anëtar i NATO-s merr përsipër angazhimin të ketë një sistem funksionues politik demokratik të bazuar në ekonominë e tregut. Parimi i dytë është angazhimi për marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Parimi i tretë themelor është mbikëqyrja civile mbi veprimtaritë ushtarake dhe çështjet e sigurisë kombëtare. Përsëris, ishte një diskutim shumë i frytshëm. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partnere me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi ndërveprime të tjera të këtij lloji”, tha Arvizu.

Tre pikat e Arvizut mund te perkthehen si shqetesime dhe detyrime per Shqiperine qe te kete nje demokraci funsionale, te jete faktor stabiliteti ne rajon, larg retorikave nacionaliste te muajve te fundit dhe ku kontrolli civil, ai parlamentar mbi strukturat ushtarake, me konkretisht Ministrine e Mbrojtjes eshte nje domosdoshmeri e ketij sistemi demokratik.

Amullia e interpretimeve ligjore qe shoqeroi gjate vitit qe shkoi kete Komision per Kontrollin ndaj Sherbimit Informativ Ushtarak i ka bindur te dy drejtuesit e ketij Komisioni se ligji duhet shqyrtuar me kujdesin me te veçante.

“Javës që vjen në Komisionin e Sigurisë ne do të fillojmë të diskutojmë Ligjin për Mbikëqyrjen Parlamentare të institucioneve informative të vendit tonë, i cili bazohet në përvojën më të mirë të vendeve demokratike, sic janë Anglia dhe vende të tjera që kanë përvojë në këtë drejtim”, u shpreh kryetari i Komisionit Leonard Demi.

“U theksua me të madhe si nga ambasadori, ashtu edhe nga anëtarët e Komisionit nevoja e forcimit të rolit mbikëqyrës të Komisionit të Sigurisë, si një nga elementët e domosdoshëm dhe themelorë të funksionimit të shtetit ligjor, të rritjes së transparencës së institucioneve të sigurisë”, u shpreh Ilir Gjoni.

Prej kohesh opozita kerkon te kryeje kontroll ne Ministrine e Mbrojtjes, kontroll qe deri tani eshte refuzuar si nga Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe nga mazhoranca ne Komisionin e Sigurisë.

Top Channel