Shërbimi kombëtar i shëndetësisë

11/02/2013 00:00

Partia Socialiste propozon një skemë të re e cila do të ofrojë shërbim shëndetësor falas për të gjithë qytetarët, përfshirë ata që punojnë, përmes krijimit të ‘Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë’.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, sekretari i programit politik të Partisë Socialiste, Ilir Beqja deklaroi se skema aktuale e sigurimeve shëndetësore në Shqipëri ka dështuar, për sa kohë ajo mbështetet në kontributin e të punësuarve, të cilët janë shumë pak për shkak të shkallës së lartë të papunësisë në vend.

“Ky është thelbi i reformës sonë të re në shëndetësi, që unë e çmoj se është ndryshimi më radikal. Mbulim universal për këdo, shërbimi shëndetësor kombëtar, që do të jetë blerësi unik i shërbimit. Ditën që kjo skemë do të nisë të funksionojë do të shuhet nocioni i kontributit të detyrueshëm për kujdesin shëndetësor”, deklaroi Beqja.

Zoti Beqja sqaron se kostot për atë që e quan blerje të sistemit, do të përcaktohen në marrëdhëniet e ‘Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë’ dhe qendrave shëndetësore që ofrojnë shërbimin.

“Nëse themi do ta blejmë, pranojmë që ka një kosto. Por kostoja është marrëdhënia mes shërbimit kombëtar dhe atyre që e ofrojnë, qendra publike dhe private. Falas e ka përfituesi”, saktësoi Beqja.

Sekretari i programit politik të Partisë socialiste thotë se vetëm 16 për qind e shqiptarëve kontribuojnë në skemën e shërbimit shëndetësor. Pjesa tjetër, m shumë se 80 % nuk përfitojnë nga kjo skemë që do të thotë se janë të detyruar të blejnë vetë shërbimin shëndetësor.

Top Channel