SHBA dhe Britani: Në Shqipëri priten protesta

11/02/2013 00:00

Ndërkombëtarët janë shqetësuar për situatën e krijuar në Shqipëri pas
vendimit të Gjykatës së Tiranës për lirimin e dy të akuzuarve për
vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit 2011.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe paralajmërojnë qytetarët e tyre që jetojnë në Shqipëri të kenë kujdes pas këtyre zhvillimeve të ndodhura, të cilat kanë çuar situatën në një nivel alarmi, për sa i përket mundësisë për acarim të situatës politike në vend. Menjëherë pas shpalljes së vendimit për lirimin e komandantit Ndrea Prendit dhe të Agim Llupos, ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron shtetasit e saj, me anë të faqes zyrtare në internet, që të kenë kujdes. “Ambasada e SHBA-së paralajmëron qytetarët amerikanë për mundësinë e manifestimeve spontane si kundërpërgjigje ndaj vendimit të fundit të Gjykatës së Rrethit të Tiranës ndaj dy personave që ishin nën hetim për rolin e tyre në manifestimet e dhunshme të 21 janarit 2011. Ndërsa nuk ka demonstrata të planifikuara në këtë kohë, ne nxisim qytetarët amerikanë të mbeten vigjilent, ndërsa udhëtojnë në zonën e Tiranës”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Më pas, njoftimi i ambasadës amerikane, i dhënë nëpërmjet faqes zyrtare, u kërkon qytetarëve të saj të kenë kujdes dhe të shmangin rrugët kur mund të ndërmerren këto protesta spontane, pasi ato mund të nisin si paqësore, por mund të tejkalojnë në dhunë. “Rishikoni planet tuaja personale të sigurisë; jini të vetëdijshëm për ambientin përreth, duke përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe monitorimin e stacioneve lokale të lajmeve për përditësime. Mbani një nivel të lartë të vigjilencës, merrni masat e duhura për të rritur sigurinë tuaj personale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale”, thuhet në njoftimin e  ambasadës amerikane. Ky është një njoftim disi i veçantë, pasi ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj që të jenë të kujdesshëm, pa pasur njoftime për zhvillime protestash.

Situatën jo shumë normale e shfaq edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, ku u kujton qytetarëve të saj të kenë kujdes se 2013-a është vit zgjedhor dhe se pritet një tensionim i situatës politike. “Tensionet midis grupeve fetare dhe shprehje të pikëpamjeve ekstremiste janë shumë të rralla, qëndrimet ndaj vendeve perëndimore janë jashtëzakonisht pozitive. Megjithatë, atmosfera politike është e tensionuar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor 2013. Kini kujdes dhe shmangni demonstratat apo turmat e mëdha”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike, të botuar në faqen e saj elektronike.

Gazeta “Shqip”

Top Channel