Proteste për pensionet

11/02/2013 00:00

Qindra pensionistë të minoritetit grek në jug të vendit janë grumbulluar
në Dropull, për të diskutuar hapat që do të pasojnë pas njoftimit prej
shtetit grek disa ditë më parë të ndërprerjes së pensioneve që ata
përfitonin nën statusin e minoritarëve.

Pensionistët thanë se janë bërë përppjekje të mëdha për ta përfituar këtë pension, ndërsa pretendojnë se qeveria greke  e ka njoftuar vendimin vetëm me një copë letër disa ditë më parë. Në bazë të kartës së përfituar si minoritarë pension përfitonin disa mijëra minoritarë të moshës mbi 60 vjec në Jug të vendit.

“Jemi greke na kanë prerë pensionin.Çfarë është kjo që bëjnë? Merrja 100 euro si grua me shumë fëmijë, mi prenë dhe ato. Një kuti ilace për diabetin bën 60 euro, ilacet që marr për frymëmarrjen 60 euro të tjera .Unë paguaj 300 euro vetëm për ilace dhe nuk merrja asgjë vetëm 100 euro si nënë me shumë fëmijë dhe mi prenë dhe ato. Cfarë të bëjmë të vdesim? Grekë jemi, kemi karta identiteti si minoritarë, me grekët jemi si vëllëzër,shpresonim tek Greqia se do na mbështeste. Kam 6 fëmijë vetëm 2 punojnë të tjerë pa punë e pa para. Këtu në Shqipëri marr 80 mijë lekë shpërblim për gjithë kohën që punuan gjatë periudhës së Enver Hoxhës.Me këtë pension nuk ja dalim dot. Të na japin sa të mundin por jo fare”, tha Athina Mako, pensioniste.

“Jemi mbledhur këtu për të protestuar për pensionin që na kanë prerë.Ne nuk duam të humbasim të drejtën për  këtë pension të vogël  për të jetuar këtu në vendin tonë. Ajo që po ndodh prej 100 vitesh nuk duam që të përsëritet. Jo më me atdhe të humbur.Jemi të lidhur me shtetin shqiptar dhe me popullin shqiptar por nuk mund të na mbështesë ky shtet i varfër. Duam dhe mbështetjn e vendit tonë amë”,thotë pensionisti Ilias Barkas.

Pensionistët minoritarë nga i gjithë jugu pritet që të protestojnë ditët në vijim para konsullatës greke me flamuj të zinj dhe me një listë kërkesash ekonomike.

Top Channel