Privatizimi i ‘Albpetrolit’

11/02/2013 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe deklaron se procesi i shitjes së
‘Albpetrol’ ka dalë jashtë kontureve ligjore dhe çdo veprim i ndërmarrë
nga Qeveria, tashmë është i paligjshëm.

Zoti Braçe citon vendimin numër 107, të vetë Qeverisë, në të cilin kane qenë të parashikuar afatet e privatizimit.

“Eshtë pika e 3.1 e kapitullit të katërt, përgatitja e ofertave: ‘Oferta do të jetë e vlefshme për një periudhë prej 120 ditësh, pas datës së hapjes së ofertave’. Ofertat mund të jenë hapur në 7 shtator. Llogaritini 120 ditë kanë mbaruar në 7 janar. Në momentin që ky afat ka mbaruar të gjitha ofertat e tjera edhe e dyta, edhe e treta, e katërta ku referohet ministri i Ekonomisë janë të vdekura kanë dalë jashtë afateve ligjore të tyre për pasojë nuk ekzistojnë më, janë nul”, tha Braçe.

Ka vetëm një rrethanë kur afati i ofertës mund të zgjatet. Por kjo kërkon që më parë Qeveria të kishte njoftuar zyrtarisht kompaninë e dytë, që nuk e ka bërë pasi zyrtarisht ka qenë në negociata me “Vetro-n”, të paktën deri në tre ditë më parë.

“Të gjitha hapat e mëpasshëm që janë rekomanduar në vendimin e Këshillit të Ministrave tashmë janë konsumuar. Në periudhën 120 ditore, Ministria ka qenë në shkelje të ligjit vazhdimisht në negocim të kontratës dhe në asnjë veprim tjetër që parashikohet në vendimin e Këshillit të Ministrave, kështu thotë të paktën vendimi i fundit të Komisionit të Tenderit, që do të thotë që procesi ka vdekur”, thekson Braçe.

Por ky nuk është problemi i vetëm ligjor i procesit për deputetin socialist. Qeveria tashmë ka pranuar se garancia 85 milionë euro e “Vetro-s” është problematike dhe dështimi me të ngre të tjera përgjegjësi ligjore, që për zotin Braçe janë indicie të qarta se procesi duhet të vihet nën hetim gjithëpërfshirës.

“Nuk ka nevojë fare kush të denoncojë në organin e Prokurorisë, por Prokuroria e Përgjithshme duhet të ketë gjithë përgjegjëshmërinë e saj të fillojë hetimin penal për mashtrim dhe shpërdorim detyre, ku mbajnë përgjegjësi që të gjitha palët, veçanërisht Ministria e Ekonomisë, Komisioni i Tenderit, konsulenti i përzgjedhur nga ana e Qeverisë, pra kompania kompania “Patton Bogs” dhe në fund fare kompania që është shpallur fituese nga ana e Qeverisë. Që të gjithë këta duhet të vihen menjëherë nën hetim penal për këtë proces”, theksoi Braçe.

Për deputetin socialist tashmë shitja e ‘Albpetrol’ është një proces i vdekur dhe Qeveria duhet të tërhiqet për ta rikthyer ‘Albpetrolin’, sipas tij, nën pronësinë e qytetarëve.

“Qeveria duhet menjëherë të tërhiqet nga ky proces, ta mbyllë dhe të shikojmë mundësi të tjera të menaxhimit publik të kompanisë”, tha Braçe.

Top Channel