”Era për Europën fryn majtas”

10/02/2013 15:20

Ne cilësinë e zv/presidentit të Internacionales Socialiste, lideri i opozites, Edi Rama, mori pjesë në konferencën “Rilindje për Europën: Paqe, prosperitet dhe progres”, të zhvilluar në Torino të Italisë dhe ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të së majtës Europiane.

Qëllimi këtij aktiviteti ishte ndërtimi një aksion politik për të mbështetur Pierluigi Bersanin, kandidatin e majtë për Kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 24 shkurt në këtë vend.

Gjithashtu, në konferencë është diskutuar gjerësisht për forcimin e bashkëpunimit mes të majtës veçanërisht në këtë vit që është vit elektoral për disa vende europiane.

“Ne ndihemi të përkëdhelur në sedër që Partia Socialiste Europiane ka përqafuar sloganin e një rilindje për Europën, ndërkohë që modestish ne po kemi përqafuar idenë e një Rilindje Shqiptare. Dhe sot ishte një kënaqësi e veçantë që në emër të PS të Shqipërisë isha mes udhëheqësve të lartë të socializmit europian së bashku me disa kryeministra të partive socialiste e socialdemokrate të Europës, për të mbështetur kandidatin e rilindjes europiane për Italinë Pier Luigi Bersanin. Është e ndjeshme kudo që era për Europën e të nesërmes po fryn majtas dhe ne sot ndamë një frymëzim evropian me kryetarin e Parlamentit Europian, Martin Schulz, me një sërë kryeministrash që sot përfaqësojnë aspiratat e të majtës socialiste”, deklaroi Rama.

Edi Rama foli  edhe për bashkëpunimin që PS është duke forcuar me partnerët europianë në funksion jo vetem të zgjedhjeve të 23 qershorit, por edhe më tej për ta çuar vendin drejt standardeve të Europës së bashkuar.

“Këto momente të rëndësishme për të majtën europiane, janë edhe momente shumë të rëndësishme për të nesërmen pas 23 qershorit. Ne po vendosim urat e bashkëpunimit që sot me qeveri dhe me kryeministra që janë përfaqësues të një gjenerate të re politike dhe që me patjetër duan një Europë të re, ku ata që janë më mbrapa dhe Shqipëria është më mbrapa, të mos ndjehen as të braktisur dhe as të vetëm në një udhëtim të përbashkët drejt shteteve të bashkuara të Europës”, shtoi kryesocialisti shqiptar.

2013-ta është një vit i rëndësishëm për Europën progresiste, nënvizoi Rama, duke deklaruar se pas fitores në zgjedhje të socialistëve në Sllovaki, Francë dhe Rumani në 2012-ën, zgjedhjet në Itali e Gjermani mund të ndryshojnë ekuilibrat, duke i hapur rrugë një mazhorance progresiste pas zgjedhjeve europiane të 2014-ës.   

Top Channel