I shquar për medimet e drejtëpërdrejta Nikoll Lesi, një prej aleatëve
qeverisës të Kryeministrit Berisha, nuk i kursen tonet kritike ndaj
vendimit të gjykatës, e cila i dha pafajësinë të akuzuarve për ngjarjet e
21 Janarit, duke u kthyer kështu në të parin zë kundër asaj që ndodhi
në Gjykatën e Tiranës, nga brenda maxhorancës.

“Mendoj se vendimi nuk ishte i plotë, nuk ishte transparent dhe më lejoni të them që mbështes deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe nëse më lejoni mund të them se deklarata e sotme e Gjykatës së Tiranës ishte e nxituar, absurde dhe inatçore ndaj Ambasadës Amerikane. Nuk mund të pajtohem me një vendim të tillë”, thotë Lesi.

Lesi e quan të papranueshëm reagimin e trupës së gjyqtarëve pas deklaratës se Ambasadës Amerikane.

“Duhet që patjetër dikush nga Qeveria, ia kërkoj edhe në cilësinë e një kryetari të një partie të koalicionit, që të mbështesë Ambasadën Amerikane, sepse është akuzuar padrejtësisht nga Gjykata e Tiranës”, theksoi Lesi.

Sipas Lesit kjo ngjarje padyshim nuk i shërben aspak mardhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kjo është një çështje që vendos një gur nën rrota të marrëdhënieve të shkëlqyera Shqipëri-SHBA. E them këtë sepse kemi disa precedentë negativë, si politikë shqiptare edhe në vitin 1996, kur u nxituam dhe kundërshtuam disa sygjerime të drejta amerikane për disa çështje”, tha Lesi.

Ngjela: Vendimi i Gjykatës, tmerr

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela, e cilësoi si tmerr vendimin e Gjykatës së Tiranës për pafajësinë e gardistëve.

Avokat Ngjela tha se vendimi errëson të ardhmen dhe se vrasjet në 21 janar ishin një krim shtetëror.

“Jemi përballë një krimi shtetëror. Dje Gjykata nuk ka vërtetuar pafajësinë e tre të pandehurve ose të katër të pandehurve kriminelë, vrasës, por ka vërtetuar krimin shtetëror në të cilin bën pjesë edhe ajo. Sot dëgjuam që tre gjyqtarët keqbërës, paskan marrë iniciativën që të godasin edhe ambasadorin amerikan. Gjithë opinioni publik shqiptar është në dijeni të kësaj, politika amerikane është në dijeni të kësaj, politika perëndimore e ka kërkuar vazhdimisht 21 janarin si hetim dhe gjykim të pavarur dhe të drejtë dhe në këto momente kuptojmë që Gjykata na paska dalë shumë më lartë se sa c’pritej. Tre keqbërës po i mësokan politikës botërore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës se c’ështje drejtësia! Llogariteni se ku jemi”, tha Ngjela.

Totozani: Kush është vrasësi?

Gjatë një takimi me qytetarët e Shkodrës, Avokati i Popullit, Igli Totozani ka reaguar në lidhje me vendimin e dhënë dje nga gjykata për pafajësinë e të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit.

Avokati i Popullit është shprehur se, ne nuk kemi tagër mbi vendimin e gjykatave, por ne si institucion na intereson të vendoset drejtsia dhe të dale e vërteta për viktimat dhe familjarët e tyre.

“Si institucion jemi të interesuar që të vendoset drejtësi, të dalë e vërteta për viktimat, familjarët dhe gjithë qytetarët”, ka thënë Totozani, i cili ka shtruar një pyetje.

“Ka një pyetje që ngremë të gjithë: A ka përgjegjës për të vdekurit e 21 janarit? Këtë duhet ta dimë”, ka shtuar Avokati i Popullit.

Top Channel