Në pak minuta Gjykata Penale shpalli vendimin, që i jep pafajësinë
ish-Shefit të Gardës së Republikës,Ndrea Prendi dhe oficerit Agim Llupo,
pasi akuza e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese, sipas trupës
gjyqësore nuk u arrit të provohej nga Prokuroria.

Gjyqtari Besnik Hoxha deklaroi në sallë se nuk mundet të ngrejë një akuzë të re, për aq kohe sa për të nuk është hetuar nga Prokuroria. Vendimi i tre pafajësive, së bashku me deklarimin si i pafajshëm edhe për Margarit Kumen, u prit me duartrokitje.

Nje nder pikat e referimit qe u shpallen ne dispozitiv ishte edhe vendimi i Strasurgut për pafajësine e nje polici, i cili vrau nje protestues ne Genova gjate 2001, ne protestat kunder takimit te G8.

“Gjykata, në reference të vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara, nuk mund të krijojë një akuzë të re për të pandehurit tej dhe fakteve dhe pretendimit të parashtruar nga organi i akuzës, për të cilat nuk është hetuar nga ky organ. Në këto kushte gjykata, me anë të këtij vendimi i përgjigjet akuzës së ngritur dhe faktit nëse provohet ose jo. Gjykata nuk mund të shprehet edhe për faktin e pahetuar nga Prokuroria për këta dy të pandehur. Gjykata, së dyti, në marrjen e këtij vendimi ka parasysh vendimin në datë 25/8/2009,së gjykatës së Strasburgut kundrejt Italisë dhe jurisprundencën e kësaj gjykate në zbatim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe vecanërisht nenit dy të saj, e drejta e jetës. Gjykata sqaron se jurisprundenca e Gjykatës së Stasburgut është bazë ligjore dhe e detyrueshme për gjykatën shqiptare në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë”, tha gjyqtari Besnik Hoxha.

Trupa gjyqesore me gjyqtarë Besnik Hoxhen, Ardiana Beren dhe Arjana Cacon e rrëzuan akuzen e Prokurorise per vrasjen e Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedes, si qartesisht te paprovuar se ka ndodhur me dashje, ndersa Garda atë dite, sipas Gjykatës ka kryer mbrojtjen e institucioneve dhe mbrojtjen e nevojshme.

“Akuza e ngritur nga Prokuroria në ngarkim të dy të pandehurve nuk qëndron, duke patur parasysh edhe institutin e mbrojtjes së nevojshme, detyrimet ligjore të Gardës së Republikës për mbrojtjen e institucioneve dhe personaliteteve zyrtare që kanë në mbrojtje. Si përfundim Gjykata vendosi: deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ndrea Prendi, për veprën penale të vrasjes me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79, gërma ë; e Kodit Penal, heqjen e masës së sigurisë arrest shtëpie ndaj këtij të pandehuri; deklarim të pafajshëm të të pandehurit Agim Llupo për veprën penale të vrasjes me dashje në rrethana të tjera cilësuese, të kryer ndaj dy ose më shumë personave, të parashikuar nga nenin 79, gërma dh; e Kodit Penal, urdhërohet lirimi i tij i menjëhershëm; deklarimin e pafajshëm të shtetasit Margarit Kume”, tha Hoxha.

Menjëherë pasi trupa gjyqesore u largua, salla e gjykates u kthye ne nje vend takimi mes oficerëve të Gardës dhe ish-eprorit të tyre, gjeneralit Ndrea Prendi.

Procesi u ndoq ne heshtje edhe nga nje perfaqesues i Ambasades Amerikane. Avokatet mbrojtes të Prendit dhe Llupos dhanë deklaratat e tyre në daljes të seancës.

“Drejtësia foli. Eshtë një ditë vërtet e madhe, jo personalisht për gjeneral Ndrea Prendin, por është një ditë e madhe, e cila shënoi që përfundimisht në Shqipëri nuk preken institucionet”, tha Genc Gjokutaj, avokat i Ndrea Prendit.

“Sot Gjykata shpalli vendimin ndaj të akuzuarve të datës 21 janar, vendim i cili nuk ka nevojë për koment. Ajo që unë shpresoj dhe besoj që ky të jetë një gur themeli i atij muri të lartë që drejtësia me reformat e saj duhet të ndërtojë”, tha Besnik Cerekja, avokat i Agim Llupos.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Zyra e Shtypit e organit qendror të akuzës deklaron konkretisht se: Prokuroria do të presë zbardhjen e vendimit dhe më pas do të vlerësohet për më tej.

Top Channel