Djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha njoftoi përmes një deklarate për shtyp se, sot në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca e parë e çështjes civile për padinë që ai ka ngritur ndaj atyre që i cilëson “shpifje të zotit Rama” dhe që në publik janë përcjellë përmes deputetit Taulant Balla.

“Ashtu sikundër dhe pritej, pavarësisht kërkesës së përsëritur dhe njoftimit të rregullt të gjykatës, zoti Balla, me urdhër të zotit Rama, iu fsheh përballjes me drejtësinë duke mos u paraqitur në seancë, as vetë personalisht dhe as me përfaqësues ligjor”, deklaron Shkëlzen Berisha.

Djali i kryeministrit i bën thirrje publike zotit Rama që të mos pengojë proçesin gjyqësor dhe ta lejojë përfaqësuesin e vet të paraqitet në gjykatë për të përcjellë aty provat mbi të cilat ka ngritur shpifjet e tij.

“E ftoj atë të mos i shmanget detyrimit ligjor si një frikacak, që shpif e ndodhet përherë e kudo, përveçse aty ku i duhet të provojë me fakte dhe argumente ato që thotë”, deklaron Shkëlzen Berisha.

Ndërkohë, deputeti Balla ka reaguar përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku ka sqaruar motivet e mungesës së tij dhe ka ironizuar me vendimet e gjykatave, të shndërruara në “aneks” të kuzhinës së kryeministrit.

“Djali i babit kryeministër kujton se mund të blejë moralin dhe dinjitetin e humbur me vendimet e gjykatës së shndërruar në një aneks të kuzhinës së Sali Berishës. Lidhur me deklaratën e tij të sotme, sqaroj se gjykata dhe gjyqtari ishin njoftuar për mungesën time për shkak të pjesëmarrjes time në një aktivitet të rëndësishëm jashtë Shqipërisë”, ka thënë Balla.

Deputeti socialist i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha dhe kalamajve të tij që të fillojnë të mendojnë me këmbë në tokë për transparencën e pasurimit të tyre marramendes.

“Sepse edhe 138 ditë na ndajnë nga dita kur do të rilindë edhe drejtësia e munguar. Sa për frikën, i them Shkëlzenit të pyesë më mirë babin e vet, se më njeh më mirë ai”, ka vijuar Balla.

Top Channel