Gjatë ceremonisë së hapjes së zyrës së Frymës së Re Demokratike në Orikum, kryetari i kësaj force Bamir Topi deklaroi se FRD nuk është krijuar artificialisht.

Partitë e vjetra kanë shkaktuar zhgënjim tha Topi, duke shpjeguar se gjysma e popullsisë as nuk shkon të votojë.

“Ka pasur mjaftë diskutime në ditët e fundit për koalicionet. Unë ju them se për një parti të re duhet një konsolidim i fortë, ne forcojmë kuotat tona dhe pastaj vendosin strukturat përkatëse. Të tjerat janë spekulime. Ne jemi të strukturuar në këtë mënyrë, me vullnetin për të mos bërë koalicion me partitë e vjetra politike”, deklaroi Topi.

Duke përmendur Kodin Zgjedhor, me të cilin do mbahen edhe zgjedhjet, kreu i FRD tha se vendi ka sot një kod që po projekton zgjedhje të manipuluara dhe të deformuara.

Dy ditë më parë, zërave për bisedime me LSI, PBDNj apo PDIU për të qenë në një aleancë parazgjedhore për të maksimalizuar votën, nënkryetari i FRD-së Aleksandër Biberaj iu përgjigj duke thënë se kjo pari është e hapur për të gjitha të ashtuquajturat parti të vogla, por përajashton ndër to partitë që perceptohen si të korruptuara.

“Përjashtojmë partitë e vjetra, që kanë qenë simbol i korrupsionit e që nuk kanë punuar për interseat e shqiptarëve. Të tjerat, ato të qendrës së djathtë, mbeten aleate të FRD”, deklaroi Biberaj.

Ky kriter, tha ai, është në përputhje me parimet e FRD-së si parti e krijuar me misionin për të luftuar korrupsionin në pushtet. FRD do të ketë prioritet parësor interesin qytetar, deklaroi Biberaj, i cili shtoi se partia po punon për krijimin e polit të tretë në politikë.

Top Channel