Gjinushi: Ndarje të re mandatesh

01/02/2013 00:00

Skënder Gjinushi kreu PSD-së komentoi votimin e një dite më parë në
Parlament për ndarjen e mandateve, të cilin e quan si një tentativë të
dëshpëruar të shumicës korruptive PD-LSI për t’i fituar zgjedhjet në
tavolinë.

“Opozita nuk mund të njohë asnjë rezultat që nuk llogaritet në ndarjen e re të mandateve. Prandaj ne i kërkojmë publikisht dhe misionit të OSBE-së në Tiranë për të kuptuar përfundimisht se kush është misioni i tyre këtu, të shprehen qartazi për këto tentativa të kësaj shumice. Kjo ndarje mandatesh i vlen vetëm Saliut dhe Jozefinës sepse vendimi i Kuvendit është nul, vendimi i Kuvendit nuk ka asnjë efekt mbi të tretë, se nuk është zbatim të Kodit dhe opozita nuk njeh asnjë rezultat që nuk bazohet mbi llogaritjen e re të mandateve”, tha Gjinushi.

Duke u ndalur në tre ligjet e integrimit, Gjinushi tha se marrja e kompetencave të KQZ-së nga Parlamenti tregon se ligjet në letër janë të papërfillshme nga kjo maxhorancë.

“Veprimi i djeshëm tregon qartazi se sa qesharake janë thirrjet, se gjoja Shqipëria është tre projektligje larg Europës, në një kohë kur në Shqipëri, nga kjo shumicë nuk zbatohet as Kodi, as ligji, as Kushtetuta, as vendimet e Gjykatave. Kjo tregon qartë se sa absurde janë të ashtuquajturat thirrje për kompromis apo konsensus, kur baza e cdo kompromisi në demokraci është zbatimi rigoroz dhe korrekt i ligjit”, tha Gjinushi.

Top Channel