Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim, Peter Stano konfirmoi vizitën e
Stefan Fyles ditën e hënë në Tiranë, për të biseduar me partnerët e tij
në vend. 

Në lidhje me mesazhet e kësaj vizite, Stano nuk dha më shumë shpjegime se në deklaratën e shkurtër të Komisionerit në faqen e tij Twitter.

“Zgjedhjet janë të rëndësishme, por nuk zgjidhin çështje kritike: si mungesën e kulturës së kompromisit dhe mungesën e përfshirjes”, shkruajti Fyle në Twitter.

Në lidhje me zbatimin e reformës zgjedhore, KE tërhoqi vëmendjen se ky proces po vëzhgohet jo vetëm nga Komisioni por edhe nga vendet anëtare.

Top Channel
: Reforma zgjedhore ishte pjesë e masës kritike që në raportin tuaj të fundit ju e vlerësuat si progres. A po e ndjek Komisioni se si po zbatohet kjo reformë dhe a është zbatimi po aq i rëndësishëm sa kalimi apo votimi i ligjeve në Shqipëri?

Peter Stano: Sigurisht që është shumë i rëndësishëm dhe ne e theksojmë çdo ditë se nuk bëhet fjalë vetëm marrëveshje mbi ligjet dhe procedurat, por bëhet gjithashtu fjalë për zbatimin. E në të vërtetë nuk po vëzhgon vetëm Komisioni Evropian se si po bëhet kjo gjë por edhe vendet anëtare. Shembulli i fundit janë konkluzionet e Këshillit në dhjetorin e kaluar ku vendet anëtare kanë deklaruar, e mendoj se kjo është përgjigjja më e mirë ndaj pyetjes tuaj, se: Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, do të jetë një test kyç për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit.

Vlen të theksohet se kjo pjesë e konkluzioneve të vendeve anëtare për zgjedhjet, që u lexua sot edhe nga Komisioni, lidhet ngushtë me plotësimin e kriterit politik, i domosdoshëm për marrjen e statusit. Komisioni do të ndjekë gjithashtu nivelin e plotësimit të kritereve të mbetura si dhe nivelin e konsensusit në dialogun mes palëve, një tjetër kriter nën monitorim të vazhdueshëm në rastin e Shqipërisë.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel