Refuzimi i investimit të Ansar

31/01/2013 00:00

Projekti i miratuar i ndërtimit të një terminali gjigant nafte nga Damir
Fazlliç dhe projekti i refuzuar që synonte ndërtimin e një TEC-i nga
Zafar Ansar, sipas deputetit Erjon Braçe janë dy shembuj që tregojnë se
si trajtohen në mënyrë të diferencuar biznesmenët e huaj.

“Në momentin që zoti Ansar refuzon të paguajë 3 për qind ‘tarifë suksesi’, në momentin që Ansar refuzon të blejë një tokë shumëfish më të shtrenjtë seç ai mund ta blinte kudo në Europë, atij i bllokohet projekti dhe e zbojnë nga Shqipëria; i heqin titujt e tjerë që kishte dhe shpallet kundërshtar i këtij regjimi. Ndërkohë që  zotërisë në fjalë, jo vetëm që ndihmohet, në të njëjtin territor, pothuajse në të njëjta data që zoti Ansar refuzon këto kushte të vëna nga zyra e avokatisë, por i krijohen dhe lehtësira të tjera për projektin. Jo vetëm leje, por po i referohem një prej dokumenteve që është në dosjen e projektit të zotit Fazlliç. Terminali i “Crown Aquisitions” është vendosur pranë hekurudhës së ardhshme industriale që do të ndërtohet në atë territor. Pra, këtij zotërie i ofrohet, që në terrtorin ku ai do të investojë, të planifikohet edhe ndërtimi i një hekurudhe, e cila është lidhur me hekurudhën kryesore Tiranë-Durrës”, tha Braçe.

Deputeti Erjon Braçe e cilëson këtë praktikë si një konflikt të pastër interesi.

“Investitorët e huaj kur paraqiten në Shqipëri, natyrisht që gjejnë zyra të ndërmjetme, në konflikt të pastër interesi dhe jo zyra publike, ku mund të marrin atë që ju takon sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Kjo zyrë e ndërmjetme është një konflikt total interesi, pasi ka lidhje drejtpërdrejt me vendimmarrjen e Kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha dhe në radhë të dytë përmes këtij favori, këtij konflikti interesi që ka e bija me babanë Kryeministër sigurohen përfitime. Ky është atdheu privat, që administrohet në mënyrë private nga Kryeministri i vendit, nga familja e tij, apo nga klientë të tjerë”, theksoi Braçe.

Pretendimet e biznesmenit Zafar Ansar dhe marrëdhënia me zyrën avokatore të Argita Malltezit, thotë Braçe meritojnë një hetim të hollësishëm nga Prokuroria.

“Meriton një hetim të hollësishëm, jo thjesht për shkakun e konfliktit të interesit, por për atë elementin tjetër që pretendon zoti Ansar, kërkimin e një ryshfeti përkundrejt miratimit të lejes në Këshillin e Ministrave për ndërtimin e projektit të tij. Në raste të tilla, të ngjashme nuk ka nevojë që të denoncojë kush. Organi i Prokurorisë mund të nisë çështjen kryesisht, për të sqaruar deri në një dhe për të kthyer një përgjigje ligjore. Në rast se ka shkelje të hapur të ligjit siç ne dyshojmë, organi duhet ta cojë këtë çështje për gjykim”, u shpreh Braçe.

Top Channel