Rama: Rend, në çdo metër katror të vendit

31/01/2013 00:00

Në vijim të diskutimeve për rendin publik, Partia Socialiste organizoi
një tryezë ku është diskutuar situata e sigurisë së qytetarëve dhe krimi
ndaj pronës private. Specialistët e policisë tashmë të nxjerrë në lirim
kanë folur në këtë tryezë ,për shkaqet e kësaj situate.

Kreu i opozitës Edi Rama e quajti reagimin e një dite më parë që lidhej me pagat të zëdhënësit të Ministrisë së brendshme, si të shkëputur nga realiteti që tregon se në cfarë gjendje është katandisur kjo ministri. Zoti Rama tregoi hapat që do të ndërmarrë Qeveria socialiste në përmirësimin e situatës së rendit publik.

“Do të vemë në dispozicion një polici të shtetit, që do të mbrojë pacënueshmërinë e individit dhe të qetësisë së tij dhe pacënueshmërinë e pronës publike apo private. Kushdo që do të cënojë individin apo pronën do të përballet me policinë e shtetit shqiptar, në çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama vlerësoi standaret e policinë e Kosovës duke propozuar pasjen e një projekti të përbashkët me Qeverinë e Kosovës për të ndarë këtë eksperiencë suksesi.

Reagon Ministria e Brendshme

“Zoti Rama vijoi sërish sulmet e paprincipta ndaj efektivave të Policisë së Shetit. Ai sërish përdhosi sakrificën dhe përkushtimin e tyre në ruajtje dhe mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit. Por, me këto sulme ai nuk do të mund të mbulojë kurrë faktin se është politikani me lidhjet më të forta me krimin dhe botën e tij”.

“I kujtojmë zotit Rama, se drejtuesit e korruptuar dhe të inkriminuar, Policia e Shtetit i ka nxjerrë me kohë prej radhëve të saj dhe sot ata janë rreshtuar vetëm në krah të tij. Zoti Rama, përpara se të flasë për ruajtjen e mbrojtjen e pronës, duhet të japë llogari për vjedhjen dhe përvetësimin e pronës së mijëra qytetarëve në Tiranë, në kohën kur ai ishte kryebashkiak. Dhe për këtë, ai e ka marrë një përgjigje më 8 maj. Ministria e Brendshme dhe qeveria shqiptare do të vijojnë të mbështesin pa rezerva strukturat e Policisë së Shtetit, në misionin e tyre të shenjtë: garantimin e rendit dhe sigurisë publike, do apo nuk do zoti Rama dhe shpura e tij, tashmë në panik të plotë”, tha zoti Olli.

Top Channel