“Nuk ka projekt për Radikën”

31/01/2013 00:00

Duke iu përgjigjur kërkesës së grupit të LSI-së për një interpelancë mbi çështjen “Radika”, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i deklaroi Parlamentit se “nuk jemi ende përballë një çështjeje ndërshtetërore, në kuptimin strikt të së drejtës ndërkombëtare”.

“Konkluzioni, pse nuk është një çështje ndërshtetërore, buron nga fakti se deri tani nuk ka një projekt të përfunduar, gati për zbatim, që t’i jetë dorëzuar Shqipërisë dhe vendeve të tjera, që mund të preken nga ky projekt. Ka vetëm një projekt-ide, të artikuluar nga qeveria e Maqedonisë prej vitit 2011. Mirëkuptoj shqetësimin qytetar, por bëj thirrje në të njëjtën kohë, që t’i japim tymnajës së krijuar nga spekulantë politik dhe pilotë të telekomanduar, e cila nuk e ndihmon imazhin e vendit tonë. Është me rëndësi të kuptojmë dallimin midis një ideje në letër dhe një projekt gati për zbatim. Në rastin e ndërtimit të hidrocentralit të Fushës së Likovës kemi të bëjmë me një projekt-ide, në fazat e hershme të vlerësimit të tij, kurrsesi për një projekt të përfunduar, gati për zbatim”, u shpreh Ditmir Bushati.

Bushati, në mënyrë kategorike, hodhi poshtë të gjitha akuzat e opozitës, posaçërisht të ish-kryeministrit Sali Berisha, për pasjen e një projekti gati nga pala maqedonase, madje edhe një marrëveshje me Shqipërinë.

“Është normale të kërkosh transparencë për një projekt-ide. E keqja fillon me spekulimet, kur projekt-ideja deklarohet si diçka e mbaruar, si fakt i kryer, madje – siç tha dhe Sali Berisha – si një marrëveshje e fshehtë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ndaj dhe unë e sfidoj publikisht dhe i them nxirre këtë marrëveshje të fshehtë dhe gjithashtu të na tregojë se, përse që nga 2011-a deri në 2013-n asnjëherë kjo çështje nuk është ngritur në tryezën e bisedimeve me palën maqedonase. Për herë të parë është ngritur më 27 Nëntor të 2013-s, nga ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri”, shtoi më tej ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Top Channel