Vendi do të shkojë në zgjedhje sipas ndarjes së deputetëve për qarqe të
vitit 2009. LSI, PDIU dhe ish-deputeti socialist Kastriot Islami kanë
bashkuar votat me demokratët për të lënë në fuqi ndarjen e deputetëve
sipas zgjedhjeve të shkuara, duke bërë që vendimi i shumëdebatuar të
marrë 72 vota pro, votën kundër të socialistëve, ndërsa është vënë re
edhe abstenimi i Vangjel Dules.

Demokratët kanë refuzuar ofertën e fundit të socialistëve për të vendosur me konsesus ndarjen e re të mandateve.

“Të mos e votojmë sot, të vazhdojmë ashtu sikurse kemi patur të gjithë precendentët parlamentare, të gjëjme dhe të përafrojmë qëndrimet tona politike, në zbatim të plotë të Kushtetutës, ndryshe e kemi kompromentuar procesin zgjedhor të 2013 që sot”, tha kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi.

“Ky Kuvend e ka deleguar me vullnet të plotë konsensual administrimin e zgjedhjeve tek një institucion tjetër. Mos e bllokoni atë, njësoj si statusin dhe pastaj të ankoheni se Parlamenti po i merr atij kompetencat”, tha kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi.

Opozita ne bllok deklaroi se ky vendim, që sot i bën zgjedhjet të pabarabarta, duke shkelur nenin kushtetues se çdo vote ka te njejten peshe.

Damian Gjiknuri, deputet socialist: Cfarë po bëni? Po prodhoni edhe një produkt të paligjshëm që në fillim. Po ndani mandate në kundërshtim me barazinë e votës, po ndani mandate ku qytetarët e Durrësit dhe të Tiranës, 60 mijë qytetarë janë të papërfaqësuar politikisht.

Enkelejd Alibeaj, deputet demokrat: Sot ju kerkoni që Berati të mbahet me 7 mandate? Pse? Thjesht dhe vetëm se ju mendoni po me të njëjtat përllogaritje matematikore, që bën po i njëjti i marrë politik, atë të fundit mandat t’ia hiqni LSI-së, sepse mendoni tashmë dhe kjo është e vërtetë, që ju nuk mund të arrini një aleancë politike parazgjedhore me LSI. Shihni se sa banale është e gjithë sjellja apo qasja juaj politike në këtë proces.

Ben Blushi, deputet socialist: Ajo që ju bëni sot është njësoj si një kampionat futbolli, që ai ka fituar kampionatin pararendës vendos për rregullat e kampionatit të ri. Ai e vendos që të luajë vetë me 11 lojtarë dhe ekipet kundërshtarë të luajnë me 10, këtë po vendosni sot ju, ose që porta juaj të jetë më e vogël, porta jonë më e madhe. Nuk mund të ndodhë kjo.

Sipas të dhënave të popullsisë të Ministrise se Brendshme, ndarja e re parashikonte qe Tiranes dhe Durrësit t’i shtoheshin nga nje mandat për shkak të rritjes se popullsise ne keto qarqe, ndërsa Beratit dhe Korçës i pakësohet nje deputet. Të dyja palet binin dakort për domosdoshmerinë ligjore të kësaj rishperndarjeje, por ndersa per demokratet kjo u be e pamundur për shkak të mungeses se konsensusit në KQZ, për opozitën mazhoranca shkeli ligjin për llogari të pastra politike.

 

 

Top Channel