Një sondazh i PS tregon se pas papunësisë, situata e rendit publik renditet si problematika e dytë më shqetësuese për shqiptarët.

Gjatë një tryeze me efektivë te policisë të liruar nga detyra, Pjerin Ndreu, ish-nëndrejtor i përgjithshëm i policisë, tha se reforma që ka prekur me mijëra efektivë është pa princip dhe se specialistët tashmë janë zëvëndësuar nga militantët, duke e kthyer Ministrinë e Rendit në një organizatë partie.

Ndërsa vetë kreu i opozitës, Edi Rama e cilësoi situatën e rendit si të papranueshme, duke premtuar se qeveria socialiste do t’i shpallë luftë frontale krimit.

“Hapja e një lufte frontale dhe rivendosja e autoritetit të shtetit në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë përmes policisë, duhet të jetë prioriteti themelor i 300 ditëve të para të qeverisjes sonë. Aktualisht, për 100 mijë banorë kemi 4 herë më shumë njerëz të vrarë për 100 mijë banorë”, deklaroi Rama.

Pavarësisht se ligjet janë forcuar, tha Rama, krimi po shtohet pasi Shqipërisë nuk i mungon ligjshmëria, por zbatimi i tyre, që sipas tij lidhet me mosefiçencën e tre pushteteve dhe jo tre ligjeve.

Kryetari i PS, duke folur për pagesat e uniformave blu u shpreh se, sot policët shqiptarë paguajnë më shumë taksa se të gjithë kolegët e tyre në rajon dhe shpalosi projektet e PS nesër në qeveri për pagat e tyre.

“75 për qind e familjeve të punonjësve të policisë kanë të ardhura mujore nën pagën minimale. Inspektori vitin 2012 e filloi me 319.200 lekë, në një mandat ne do ta çojmë në 570 mijë lekë. Kryeinspektori e nisi 2012-ën me 338.400 lekë, në një mandat ne do ta çojmë në 632 mijë lekë. Nënkomisari e filloi me 505.000 lekë, në një mandat ne do ta çojmë në 727 mijë lekë”, saktësoi Rama.

Top Channel